BQK detyroi bankat që ta mbajnë dividentën në Kosovë

Banka Qendrore e Kosovës

Për shkak se shumica e bankave në Kosovë janë me kapital të huaj, gati të gjitha fitimet që realizohen në sektorin bankar ‘eksportohen’ jashtë vendit.

Por kështu nuk ka qenë gjatë viteve 2019 e 2020. Banka Qëndrore e Kosovës (BQK) si rregullator i tregut bankar ka ‘urdhëruar’ bankat që në dy vitet e fundit ta pezullojnë tërheqjen e dividentës (fitimit të pastër).

Sipas raportit të stabilitetit financiar për 2020, kjo masë është marrë për shkak të pandemisë në mënyrë që bankat ta kreditojnë ekonominë e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Me qëllim të mbajtjes së niveleve të shëndosha të kapitalit brenda sistemit bankar dhe për të mbështetur ekonominë e Kosovës nëpërmjet kreditimit, BQK-ja ka marrë vendim për të pezulluar shpërndarjen e dividentës nga ana e bankave për vitin 2019 dhe 2020, gjë që u reflektua në rritje të kapitalit aksionar të institucioneve financiare dhe si rrjedhojë, rritje të këtij pozicioni në IHD në vend”, thuhet në raport.

Kjo reflektoi edhe tek Investimet e Huaja Direkte të cilat arritën vlerën prej 341.7 milionë euro nё vitin 2020, e që janë për 34.2 përqind më të larta krahasuar me vitin paraprak. /Buletini Ekonomik/