Cilat tatime duhet t’i paguajë një biznes në Kosovë?

Secili biznes i ri dhe i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), ka për obligim t’i paguajë tatime shtetit.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), e cila është përgjegjëse për inkasimin e tatimeve në vend, të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik, në bazë të legjislacionit tatimor, janë të obliguar të regjistrohen si biznes, të mbajnë dokumentacione, të deklarojnë tatimin dhe njëkohësisht edhe ta paguajnë atë.

Por, çfarë tatimesh duhet t’i paguajnë shtetit bizneset në Kosovë?

Reklama e sponzorizuar

Buletini Ekonomik ka hulumtuar në faqen e ATK-së rreth tatimeve që një biznes duhet t’i paguajë shtetit.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar-TVSH, është njëri nga tatimet kryesore që u kërkohet bizneseve kosovare, që kanë qarkullim mbi 30 mijë euro, me ç’rast noma tatimore që u merret nga ATK-ja është 8 deri në 18%.

Tatim tjetër është edhe Tatimi në të Ardhura të Korporatave-TAK, ku bëjnë pjesë edhe veprimtaria prodhuese, tregtare dhe transportuese, si dhe veprimtaria shërbyese e tyre, për bizneset me qarkullim nën 50 mijë euro, ku norma e tatimit është 3 deri në 9% të fitimit.

Me të njëjtat kalkulime si TAK, tatohen edhe bizneset që kanë qarkullim nën 50 mijë euro për Tatimin në të Ardhurat Personale –TAP, ku gjithashtu bëjnë pjesë veprimtaria prodhuese, tregtare dhe transportuese si dhe veprimtaria shërbyese e atyre bizneseve.

Ndërkaq për bizneset që kanë qarkullim mbi 50 mijë euro, kërkohet Tatimi në të Ardhura të Korporatave –TAK, ku norma tatimore për to është 10 përqindëshi i fitimit, sipas ATK-së.

E Tatimi në të Ardhurat Personale-TAP, për bizneset me qarkullim mbi 50 mijë euro llogaritet kështu:

-për të ardhurat vjetore nga 0 deri në 960 euro norma tatimore është 0%,

-për të ardhurat vjetore nga 960 deri në 3 mijë euro, norma tatimore që duhet të paguhet është 4%,

-për të ardhurat vjetore nga 3 mijë deri në 5 mijë e 400 euro, norma tatimore shkon në 8%, dhe për të ardhurat vjetore nga 5 mijë e 400 e më shumë, norma tatimore arrin në 10%.

Edhe Tatimi në paga është njëri prej tatimeve kryesore për punëtorët, që duhet të paguhet nga bizneset.

Kalkulimi i tatimit për të ardhurat mujore të punëtorëve kalkulohet kështu:

-Për të ardhurat mujore nga 0 deri në 80 euro, norma tatimore është 0%,

-Për të ardhurat mujore të punëtorëve me paga prej 80 deri në 250 euro, norma tatimore llogaritet 4%,

-Për të ardhurat e pagës nga 250 deri në 450 euro, llogaritet 8% normë tatimore, kurse për të ardhurat mujore mbi 450 euro e tutje, merret 10 përqindëshi, përcjell Buletini Ekonomik.

Përpos këtyre, ekzistojnë edhe tri lloj tatimesh tjera që disa biznese janë të detyruara t’i paguajnë. Ato janë: Tatimi në qira, Interes dhe të Drejta Pronësore, ku llogaritet 10% normë tatimore, Tatimi për Ktaegori të Veçanta, ku norma tatimore është 3%, dhe Tatimi për jorezidentët, me një normë tatimore prej 5 përqind. /Buletini Ekonomik/