Banka Botërore, në raportin e fundit, ka parashikuar se Kosova do të arrijë gjendjen ekonomike që kishte para pandemisë, në vitin 2022. Sipas Bankës Botërore, rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale në përputhje me trendin global. Por, ekonomistët e Kosovës kanë dyshime për këtë parashikim, sipas tyre vështirë të besohet se ekonomia e Kosovës do ta marrë veten deri në vitin e ardhshëm
Ekonomia e Kosovës, sipas Bankës Botërore, do të kthehet në nivelet e para pandemisë në vitin 2022. Sipas BB-së, rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale dhe do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe konsumit. Kurse, rritja ekonomike parashikohet të mbetet në mbi 4% në periudhën afatmesme.
“Pas goditjes së rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që rezultoi me një tkurrje të aktivitetit ekonomik të rajonit në një nivel të vlerësuar prej -3.4% në vitin e kaluar, rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të rritet me 4.4% në vitin 2021”.
Ritmi i rritjes ekonomike, siç thuhet në raportin e Bankës Botërore, pritet të stabilizohet në 3.7% gjatë 2022 dhe 2023. Por kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka një mendim më ndryshe për raportin e Bankës Botërore.
Ai thotë se nuk presin rimëkëmbje të gjendjes deri në vitin 2022. Sipas tij, Qeveria duhet ta parandalojë falimentimin e kompanive, duke shtuar se duhet të merren veprime që e ruajnë këtë mirëqenie. “Kjo ka disa parakushte që duhet kaluar dhe me këtë rritje ekonomike 4.4%, ne mund ta rikuperojmë këtë rënie ekonomike mbi 6%. Kjo është rënia më e madhe ekonomike që prej pas luftës”, ka thënë ai.
Rukiqi tha se të gjitha aktivitetet, e ndërlidhura me rimëkëmbjen, janë planifikuar të bëhen në pranverë. Siç thotë ai, Kosova është në një fazë me shumë paparashikueshmëri në lidhje me rimëkëmbjen.
“Çdo veprim që ndërmerret ka për synim që të frenojë pasojat afatshkurta. Kur kompanitë janë të rrezikuara, rrezikohen edhe punëtorët. Ne jemi të interesuar të kemi intervenime që askush të mos dalë me pasoja të parikuperueshme nga pandemia”. Rukiqi shtoi se nuk mund të flitet për rritje ekonomike, nëse ajo paraprakisht nuk stabilizohet.
Rimëkëmbja në vitin 2022, vetëm një “dëshirë”
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se rimëkëmbja ekonomike e Kosovës në vitin 2022, është “lumë dëshirash”. “Të mendohet se Kosova do të ketë rimëkëmbje ekonomike në vitin 2022 është një ‘lumë dëshirash’, vështirë për t’u realizuar dhe nëse vendeve të rajonit u duhen dy vjet, Kosovës do t’i duhet dyfishi”.
Sipas tij, kjo nuk mund të ndodhë pasi ka pasur shumë keqpërdorime me Pakot Emergjente. Paralajmërimin e Bankës Botërore që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të kenë sërish rritje ekonomike në vitin 2021 me 4.4%, ai e sheh me skepticizëm.
“Për institucionet e ndryshme dhe organizatat ndërkombëtare është e lehtë të hartojnë plane dhe për të dhënë prognoza të tilla për rimëkëmbjen. Mirëpo realiteti në Ballkanin Perëndimor është krejt ndryshe, në veçanti sa i përket Kosovës. Vetë fakti se institucionet e ndryshme ndërkombëtare paralajmërojnë se pandemia do të shuhet në vitin 2022, lind pyetja si do të ketë rimëkëmbje të ekonomisë, në Ballkanin Perëndimor, kur shumë vende kanë pësuar deri në 15% rënie të trendeve ekonomike dhe e tëra kjo kërkon kohë angazhim, mbështetje, partneritet dhe përkushtim”.
Sipas tij, nëse vendeve të rajonit u duhen dy vjet që ekonomia të marrë veten, Kosova do të ketë nevojë për dyfishin e kohës.
“Kur është në pyetje Kosova, me të vërtetë se vendet e rajonit e kanë pasur një fat që qeveritë e rajonit kanë bërë më tepër për të mbështetur bizneset dhe qytetarët, ndërsa në Kosovë ne kemi parë vetëm dy pako, pakoja emergjente e marsit 2020 dhe pakoja emergjente e tetorit në vitin 2020. Por, nga vetë fakti që kemi pasur keqpërdorim ose qasje selektive, në vend që ato t’i ndërmarrin bizneset e vogla, qytetarët dhe ekonomitë e varfra, ato kanë shkuar në llogaritë e kompanive të cilat, më së shumti, kanë përfituar nga pandemia”.
Në bazë të ligjit “Për rimëkëmbje ekonomike”, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka ndarë 222 milionë euro për sektorin privat, shëndetësor, skema sociale, arsim dhe kulturë.
Kuvendi i Kosovës ndërkohë zgjodhi qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, më 22 mars 2021, por ende nuk ka filluar shpërndarja e mjeteve nga ligji “Për rimëkëmbje ekonomike”, për bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia. Kosova mbetet shteti më i varfër në rajon, duke luftuar me nivele të larta të varfërisë dhe papunësisë masive.
Në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Europian, vlerësohet se 18% e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë, me 45 euro në muaj dhe 5.1% e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme, me nën 1.90 dollarë amerikanë në ditë. Lëvizja Vetëvendosje, e cila tani është në pushtet, në programin e saj kishte planifikuar që pagën minimale ta rrisë në 250 euro dhe ajo të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale.
Paga minimale në Kosovë, që nga viti 2011, ka mbetur e pandryshuar. Paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.