Një tjetër kriptomonedhë sfidon Bitcoin, i rritet vlera në shifra rekord

Ethereum është një tjetër kriptomonedhë apo monedhë virtuale, rival i Bitcoin. Vlera e Ethereum ka arritur në 3 mijë Dollarë, 4-fish më e madhe në krahasim me vitin e kaluar.

Kriptovaluta Ethereum, për herë të parë ka kaluar vlerën e 3 mijë dollarëve në disa prej bursave kryesore, përfshirë Bybit, Coinbase dhe BitMEX. Vlera e kriptovalutës së dytë më të madhe, sot i është rritur vlera në rreth 3.200 dollarë amerikanë, që nënkupton një rritje prej 11 për qind brenda një dite, transmeton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Investitorët thonë se kjo monedhë virtuale do të rritet akoma më shumë dhe do të jetë një ndër kriptomonedhat kryesore në sistemin financiar.

Aktualisht Ethereum është shndërruar në monedhën e dytë virtuale më të fuqishme, duke u renditur pas Bitcoin, vlera e së cilës është rreth 60 mijë Dollarë.

Një analist ka thënë për The Sun se Ethereum mund të kapë shifrën e 5 mijë Dollarëve brenda një kohe shumë të shkurtër.

Vlera e kësaj kriptomonedhe është rritur me më shumë se 1300 përqind në më pak se 1 vit, dhe aktualisht po tejkalon Bitcoinin sa i përket rritjes së përqindjes.

E kur bëhet fjalë për një javë, vlera e Ethereum është rritur për 30 për qind, kurse nga fillimi i vitit është katërfishuar.

Sa i përket kapitalizimit të përgjithshëm të tregut, Ethereum, me 368 miliardë dollarë, ka tejkaluar korporatat si Walt Disney, Nestle dhe Bank of America.