Sipas një hulumtimi të ri, Irani është duke e shfrytëzuar kriptovalutën Bitcoin për t’iu shmangur sanksioneve të rrepta amerikane ndaj ekonomisë iraniane.
Kompania analizuese, “Elliptic”, vlerëson se rreth 4.5 për qind e prodhimit global të kriptovalutës Bitcoin zhvillohet në Iran, duke i mundësuar këtij shteti që të fitojë qindra miliona dollarë nga kriptovalutat, të cilët mund të përdoren për të blerë importe dhe për t’iu shmangur sanksioneve.
Sanksionet amerikane e kanë prekur sektorin bankar të Iranit dhe ia kanë bllokuar Iranit eksportimin e naftës në shumë vende. Irani siguron rreth 70 për qind të të hyrave pikërisht nga shitja e naftës, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
“Irani e ka kuptuar se prodhimi i Bitcoin-ave paraqet një mundësi tërheqëse për ekonominë e goditur nga sanksionet, e cila po vuan nga mungesa e keshit, por ka tepricë të naftës dhe gazit natyror”, thuhet në hulumtimin e kompanisë “Elliptic”.
Sipas hulumtimit të kryer nga kompania me seli në Londër, Irani po e përdor prodhimin e kriptovalutave për ta paguar importimin e mallrave të autorizuara.