Ministria e Mjedisit pezullon memorandumet me komunat për të shtuar buxhet për shpronësime

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë ka pezulluar të gjitha memorandumet e nënshkruara me komunat për vitin 2021 për të ndarë buxhet shtesë për shpronësime të pronave. Sipas zëvendësministrit Hysen Durmishi, buxheti shtesë do të ndahet për shkak të vendimeve gjyqësore dhe për kontratat të cilat janë nënshkruar më herët me kredi.

Sipas tij, një vendim i tillë ka qenë i detyrueshëm.

“Aktualisht kur po flasim ne kemi borxh 182 milionë euro aktualisht, në ndërkohë kemi në buxhet 7.2 milionë euro. Ka shkaktuar probleme në realizimin e kontratave sepse s’kanë përfunduar me kohë shpronësimet e janë shpallur kontrata pa u bërë analiza si do të bëhen pagesat. Kanë kaluar afatin dyvjeçar e vendimet përfunditmare bëjnë që çdo pagesë të bëhet me kamatë. Kemi kredi ndërkombëtare dhe çdo vonesë shkakton dëmtim të buxhetit. Ka vendime të gjykatave edhe për vendimet e kaluara”, ka thënë ai në një konferencë për media të martën. “Jemi të detyruar të veprojmë shtesë e të ndajmë buxhet shtese për shpronësime për vendime gjyqësore, vendime që kanë kaluar dy vite dhe për kontratat me kredi. Për të rritur buxhetin për shpronësime duhet të zvogëlojmë buxhetin për disa projekte të parapara në buxhet. Kemi marre vendim për të pezulluar të gjitha memorandumet të nënshkruara me komunat për 2021 sepse nuk janë analizuar mirë”.

Reklama e sponzorizuar
Image

Sipas Durmishit, memorandumet e nënshkruara me komunat në tre muajt e parë të këtij viti arrijnë vlerën prej 18.5 milionë eurosh.

Ai ka shtuar se janë duke analizuar të gjitha vendimet që janë marrë në ministri në të kaluarën, ndërsa ka paralajmëruar edhe dërgim të rasteve në Prokurori.