Nisja e procesit të vaksinimit të qytetarëve në Kosovë kundër sëmundjes COVID-19 dhe ardhja e qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit, kanë shtuar shpresat për rritje ekonomike dhe përmirësim të zhvillimit ekonomik pas pandemisë.
Vaksinimi i popullatës në Kosovë dhe rihapja e kufijve mund të çojë në rritje ekonomike deri në 6 për qind, brenda vitit 2021, ka parashikuar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Sipas shefit të këtij ekipit të FMN-së që bëri raportin për Kosovën, Gabriel Di Bella, rritja mund të ndodhë nëse programi i vaksinimit është i suksesshëm. Gjithashtu, një rihapje e kufijve që mundëson ardhjen e diasporës në sezonin e verës u pa si shtysë në rritjen e aktivitetit ekonomik.
“Nëse realizohet, përfitimet ekonomike në vitin 2021 duhet të kompensojnë humbjet prej 4 deri në 5 për qind të shkaktuara nga pandemia në vitin e kaluar”, tha Di Bella.
Në anën tjetër, rritja e numrit të infektimeve si pasojë e varianteve të reja të COVID-19, parashihet të rrezikojë rritjen ekonomike.
Sipas FMN-së, forcimi i infrastrukturës sociale, promovimi i digjitalizimit dhe zvogëlimi gradual i ndotjes dhe gjurmëve të karbonit në Kosovë do të kontribuojnë në rritjen më të shpejtë të kapitalit njerëzor, produktivitetin dhe përgatitjen e ekonomisë për sfidat post-pandemike.
Pamundësia e bizneseve në Kosovë për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë normale, vitin e kaluar, ndikoi në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien ekonomike.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër 9 miliardë euro remitenca.
Në Kosovë, në vitin 2020, vlera e remitencave, sipas të dhënave të BQK-së, ishte rreth 940 milionë euro. Kurse në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave kap shumën e mbi 200 milionë eurove.
Për dy javë, në Kosovën erdhën 40 mijë persona nga diaspora
Vetëm brenda dy javëve të fundit, sipas informative zyrtare, mbi 40 mijë qytetarë nga diaspora kanë hyrë në Kosovë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Kurse, deri më 22 qershor, në Kosovë janë administruar mbi 140 mijë doza të vaksinave kundër COVID-19.
Niveli i rritjes ekonomike deri në 6 për qind, rezulton me rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike sesa parashikimet në fillim të shfaqjes së pandemisë, thotë Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Edhe Zeka shprehet se në këtë rritje, pashmangshëm do të ndikojë ardhja e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, për pushime në Kosovë.
“Duke u bazuar edhe nga praktikat e viteve të kaluara, ardhja diasporës pashmangshëm do të reflektojë në aktivitete të shtuara ekonomike dhe natyrisht edhe në një rritje të gjithëmbarshme të qarkullimit te ndërmarrjet private. Rrjedhimisht edhe te një normë më e kënaqshme e zhvillimit ekonomik, përtej asaj që fillimisht ka parashikuar Banka Botërore, që duket të jetë më pak optimiste sesa kjo e cila është parashikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, thekson Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore është thënë se rritja në vendet me ekonomitë me të ardhura të ulëta këtë vit, parashikohet të jetë më e ngadalta në 20 vjetët e fundit. Këto shtete me këtë ekonomi, parashikohet ta kenë një rritje prej 2.9 për qind në vitin 2021, para se të arrijnë në 4.7 për qind në vitin 2022.
Gjatë pandemisë ekonomia e Kosovës ra 7 për qind
Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa njëherësh këshilltar i lartë në Institutin Riinvest, thekson se me parashikimin për rritje të nivelit ekonomik deri në 6 për qind, Kosova do kthehet në nivelin ku ka qenë në fund të vitit 2019. Megjithatë, ai shprehet se ka indikacione të përmirësimit të situatës ekonomike. Përveç ardhjes së diasporës, Mustafa thotë se ka edhe rritje të qarkullimit dhe eksportit të mallrave.
“Por, a do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme ky ritëm, kjo varet edhe nga rritja e investimeve në ekonomi, produkte dhe shërbime të reja. E kjo kërkon një mjedis biznesor shumë më të mirë, në aspektin e zbatimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe në aspektin e stabilitetit politik dhe imazhit të vendit. Do të thotë, na duhet një seri faktorësh të ndërlidhur, që duhet të sigurojmë për të arritur në një shkallë ku zhvillimi do jetë i qëndrueshëm. Zhvillimi i qëndrueshëm është rreth 7 për qind për më shumë se një dekadë, në mënyrë që Kosova të jetë në një nivel më të qëndrueshëm ekonomik dhe më cilësor sesa tani”, thekson Mustafa.
Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej vitesh sillet deri në 4 për qind. Sipas raporteve vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës në vitin 2019 kishte shënuar rritje reale prej 3.9 për qind. Për vitin 2020, kjo rritje ishte parashikuar të ishte 4.2 për qind, por si pasojë e pandemisë, ekonomia e Kosovës ka pasur rënie deri në 7 për qind.
Qeveria nuk tregon planin për investimet publike
Rritja ekonomike në Kosovë varet edhe nga investimet publike, thotë Zeka, sipas të cilit, qeveria ende nuk ka bërë publike vlerën e këtyre shpenzimeve.
“Nuk është shumë e qartë nga ajo që është paraqitur nga ana e qeverisë, se cili do të jetë vëllimi i shpenzimeve publike, në çfarë mase do të shohim projekte infrastrukturore, në të cilat do të investohet. Kjo si duket mbetet ende e paqartë, natyrisht duke e ditur se mjetet e buxhetit janë dashur të orientohen në drejtime të tjera, kryesisht në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të goditura nga pandemia, dhe natyrisht qytetarët e afektuar nga pandemia”, thekson Zeka.
Situatën aktuale ekonomike, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka quajtur mjaft premtuese dhe të mirë. Në një seancë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ai ka është shprehur se ka rikthim të aktivitetit ekonomik dhe me ardhjen e diasporës, me shpenzimin e atyre mjeteve të akumuluara gjatë kohës së pandemisë, sipas tij, pritet që këtë vit Kosova të ketë përformancën më të mirë ekonomike në dy dekadat e fundit, sa u përket të hyrave, rrjedhimisht zhvillimit ekonomik.