Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) gjatë 2020-s ka shfrytëzuar jashtëligjshëm buxhetin e tij për të paguar testet serologjike të të gjithë stafit të saj, si masë parandaluese për infektim me Covid 19.
Ndonëse nuk parashihet fare me ligjin për parandalimin e pandemisë një gjë e tillë, KPMM-ja gjatë vitit 2020, kishte lidhur dy kontrata me njërin nga laboratorët privat për testimin e stafit të saj me “Teste Serologjike”.
Sipas raportit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për këtë institucion, vlera e përbashkët e këtyre kontratave ishte gjithsej 1 mijë e 920 euro (nga 960€ secila), prej të cilave ishin realizuar si shpenzim 1 mijë e 584 euro.
Ndërkohë, masat e përgjithshme që parashihen me Ligjin për luftimin dhe parandalimin e e pandemisë në institucione janë vetëm: sigurimi i ujit të pijshëm higjenik, mbrojtja sanitare e burimeve, objekteve dhe rrjeteve shpërndarëse për furnizim publik me ujë të pijshëm, dezinfektimi, mbajtja e maskës, mbajtja e distancës dhe higjiena personale siç janë pastrimi dhe dezinfektimi i duarve, por jo edhe testimi i tërë stafit, konstaton Auditori.
“Shpenzimi i buxhetit të një institucioni publik për kryerjen e testeve serologjike të tërë stafit në laborator privat nuk është i paraparë në kuadër të marrjes së masave në ligjin për parandalimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në raportin e auditimit të ZKA-së.
Sipas zyrtarëve përgjegjës në KPMM, testet janë realizuar me qëllim të identifikimit të stafit të cilët e kanë kaluar apo nuk e kanë kaluar Covidin në mënyrë që të sigurohet një menaxhim më efikas i aktiviteteve në organizatë.
Auditori thotë se shpenzimet e tilla të pa arsyeshme përveç që janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi ndikojnë në shpenzimin jo racional të parasë publike.
ZKA-ja i rekomandon kryetarit të Bordit të sigurohet se paratë publike të destinuara për menaxhim të pandemisë të shpenzohen në përputhje me nevojat reale të Organizatës Buxhetore dhe në harmoni me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Ndryshe, KPMM-ja gjatë vitit 2020 kishte realizuar shpenzime për Covid 19 në vlerë prej 4 mijë e 52 eurove. Ato kanë të bëjnë kryesisht me Shërbime të ndryshme shëndetësore, furnizim për zyrë dhe shërbime kontraktuese tjera. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/