Dhoma e Tregtisë: S’ka vendim për pagën minimale në takimin me Muratin

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka reaguar pas deklaratave të sindikatave lidhur me pagën minimale prej 500 eurosh, duke sqaruar se në takimin e zhvilluar me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për nivelin e pagës minimale.

Në komunikatën për media, DhTIK thekson se takimi i thirrur nga ministri Hekuran Murati ka qenë vetëm konsultues, ku palët pjesëmarrëse kanë dhënë mendimet dhe propozimet e tyre për këtë çështje.

Reklama e sponzorizuar

“Takimi ka qenë konsultues dhe palët pjesëmarrëse kanë dhënë mendimet e tyre dhe propozimet rreth kësaj çështjeje”, thuhet në njoftimin e Dhomës së Tregtisë.

DhTIK nënvizon se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por kërkon që një vendim i tillë të merret vetëm në kushte të institucioneve funksionale dhe fuqiplota, duke u mbështetur në analiza të thelluara ekonomike.


Sipas Dhomës, propozimi për pagën minimale duhet të vijë nga Këshilli Ekonomiko-Social, si mekanizëm trepalësh mes qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave – dhe jo drejtpërdrejt nga Ministria e Financave.

“Marrja e vendimit ad-hoc vetëm sa do të vështirësojë situatën ekonomike dhe më të dëmtuarit do të jenë qytetarët”, thuhet në komunikatë.

Reagimi i Dhomës vjen pas deklaratës së Jusuf Azemit, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, i cili pas takimit me ministrin Murati kishte thënë se palët janë pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.

DhTIK, megjithatë, thekson se asnjë pajtim i tillë nuk është arritur zyrtarisht, dhe se procesi duhet të kalojë nëpër kanalet e rregullta ligjore e institucionale.