Agjencia e Bashkimit Evropian për statistika, Eurostat ka publikuar të dhënat preliminare për konsumin e energjisë në BE, pjesëmarrjen e burimeve fosile, të ripërtëritshme, dhe ato të tjera për vitin 2020. Në njoftimin e saj, Eurostat ka publikuar të dhënat që tregojnë se gjatë 2020 kërkesa për energji ishte më e vogël për shkak të krizës pandemike, duke ndikuar ndjeshëm edhe në mënyrën e përdorimit të karburanteve.
Mirëpo, Eurostat ka bërë të ditur se burimet e ripërtëritshme spikaten dhe u dalluan duke vazhduar rritjen e tyre, në veçanti në prodhimin e energjisë elektrike.
Eursotat: Burimet e ripërtëritshme tejkalojnë karburantet fosile në gjenerim të energjisë elektrike
Në këtë mënyrë, në vitin 2020 gjenerimi i energjisë elektrike nga burimet fosile vazhdoi që të bije, duke regjistruar pikën më të ulët: nga 1,226,156 Gigavat për orë (GWh) në 1990, në pikun e arritur në 2007 me 1,584,005 GWh, në 1,133,402 GWh në 2019, dhe 1,022,589GWh në 2020.
Sipas Eurostat të dhënat tregojnë se nëse krahasojmë vitin 2020 me atë paraprak, 2019, konstatohet se gjenerimi i energjisë elektrike nga burimet fosile ka shënuar një rënie prej 9.8%.
Një trend i ngjashëm ishte observuar nga gjenerimi i energjisë elektrike nga energjia bërthamore, ku të dhënat e përkohëshme të 2020 tregojnë pikën më të ulët nga 1990, me 683,183 GWh, që përbënë një rënie prej 6.3% se sa në 1990.
Eurostat ka theksuar se dekada e fundit ka shënuar një rritje të ndjeshme të gjenerimit të energjisë elektirke nga burimet e ripërtëritshme.
Sipas të dhënave preliminare për 2020, gjenerimi nga burimet e ripërtëritshme tejkaloi për herë të parë burimet fosile.
Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në gjenerim ka shënuar rritje gjatë viteve, me 303,279GWh në 1990 në 979,866GWh në 2019.
Në këtë mënyrë, të dhënat për 2020 tregojnë një rritje të mëtutjeshme të kapaciteteve të burimeve të energjisë së ripërtëritshme në 1,052,582GWh, që përbënë një rritje prej 29,994GWh më shumë se sa gjenerimi nga burimet fosile.
Ndërkaq, gjenerimi nga burimet e tjera dhe jo të specifikuara të energjisë ka vetëm një pjesë të vogël të miksit të përgjithshëm të gjenerimit, me mesatarisht rreth 5,200GWh në dekadën e fundit, dhe 4,442GWh në 2020.
Konsumi i brendshëm i karburanteve fosile në BE u ul ndjeshëm
Tutje, Eurostat në njoftimin e tyre të fundit sipas të dhënave preliminare për 2020, ka nënvizuar një ulje të ndjeshme në konsumin e brendshëm të karburanteve fosile në BE.
Në përgjithësi, shkruan Eurostat, burimet fosile në 2020, veçanërisht karburantet e ngurta fosile, pritet të jenë në nivele rekord të ulëta, që kur të dhënat janë bërë të disponueshme pra 1990.
Një rënie masive në konsumin e naftës dhe produkte të naftës dhe një rënie mesatare për gazin natyral qëndron në kontrast me trendin e viteve të mëparshme.
Të dhënat preliminare të 2020 shpërfaqin që konsumi i naftës dhe produkteve të naftës ka rënë për 12.9% në krahasim me 2019.
Ndërkaq, nëse krahasohet me 2005, konsumi i naftës dhe produkteve të naftës ka regjistruar një rënie prej 23.1% në 2020.
Konsumi i brendshëm i gazit natyral ishte më pak i ndikuar në 2020, ku të dhënat tregojnë se rënia krahasuar me 2019 ishte vetëm 2.6%.
Sidoqoftë, nëse marrim për krahasim të dhënat e regjistruara në 2005, atëherë rënia e konsumit shkon deri në 8.9%, ka nënvizuar Eurostat.
Nga 2005 deri në 2020, konsumi i qymyrit në BE është përgjysmuar
Në anën tjetër, sa i përket konsumit të qymyrit (qymyrit të kafët dhe qymyrit të fortë), ka vazhduar një rënie të theksuar, për shkak të një kombinimit të efekteve të pandemisë dhe politikave për largim të qymyrit.
Marrë për krahasim vitin 2019, të dhënat preliminare për 2020 tregojnë një rënie të theksuar prej 20% në konsumin e qymyrit të kafët, dhe 18% për qymyrin e fortë.
Ndërkaq, nga 2005 deri në 2020, konsumi i qymyrit të fortë është më shumë se përgjysmuar (-51.2%), ndërsa qymyri i kafët ka rënë për 44.9% përgjatë përiudhës së njëjtë./Kosovo.energy/