Pandemia COVID-19 ka rritur numrin e të papunëve në Kosovë. Kështu njofton Instituti për Studime të Avancuara GAP.
Sipas GAP-it, shtrëngimet ekonomike që erdhën si pasojë e pandemisë, kanë prekur dukshëm tregun e punës në Kosovë.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e punësimit ra nga 29.1 për qind gjatë tremujorit të parë në 24.1 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, kurse papunësia pësoi rritje prej 2.2 pikë përqindjeje prej tremujorit të parë të vitit 2020 me 25 për qind në tremujorin e dytë me 27.2 për qind. Sipas Administratës Tatimore në Kosovë (ATK), industritë që pësuan mesatarisht rënien më të madhe të punëtorëve mes viteve 2019-2020 ishin transporti dhe magazinimi me 2,668 punëtorë, administrimi publik me 1,509 punëtorë, tregtia dhe riparimi i mjeteve motorike me 1,406 punëtorë”, njofton Instituti GAP.
Në të njëjtën kohë, GAP thotë se edhe numri i punëkërkuesve aktivë u rrit, pjesërisht si rezultat i pushimit nga puna të një pjese të popullsisë, si dhe nga masat emergjente fiskale të qeverisë që mbështetnin ata që regjistroheshin si të papunë pranë qendrave të punësimit.
Instituti më tej thekson se, sipas Agjencisë së Punësimit në Kosovë (APRK), nga muaji mars 2020 numri i punëkërkuesve aktivë filloi të rritet dukshëm, duke arritur kulmin në muajin shtator me më shumë se 198 mijë punëkërkues.
Në këtë hulumtim, GAP thotë se janë analizuar punëkërkuesit edhe sipas karakteristikave të tyre, si mosha, gjinia, dhe niveli i edukimit, del se shumica e punëkërkuesve i përkisnin grup-moshës 25-39 vjeç, burrat dhe gratë ishin pothuajse të barabartë në numër, kurse për nga niveli i shkollimit dominonin ata të pashkolluar dhe me shkollë fillore ose të mesme.
Për më tepër, GAP thotë se ky studim merr për bazë edhe sfidat dhe nevojat e Agjencisë së Punësimit, e cila është përballur direkt me numrin e madh të punëkërkuesve gjatë tërë vitit 2020.
“Me qëllim të përmirësimit të tregut të punës në përgjithësi, Instituti GAP rekomandon që Agjencia e Punësimit në Kosovë të ketë ngritje të kapaciteteve që të mundësojë shtimin e punësimit, sidomos për grupe të caktuara dhe të ndjeshme punëkërkuesish. Po ashtu, sugjerohet që APRK vazhdimisht të ketë mundësi mbledhjen e të dhënave më të hollësishme rreth statusit të punësimit të punëkërkuesve të regjistruar dhe që të ofrojë më shumë trajnime ose orientimi në karrierë sidomos në ato industri ku pritet të ketë nevojë për punëtorë”.