Rritja e parave elektronike

Valutat dixhitale që kanë rëndësi. Bëhuni gati për Fedcoin dhe e-euro

Bota e financës po përjeton një ndryshim teknologjik. Bitcoin është transformuar nga një mani e anarkistëve, në një klasë asetesh me vlerë 1 trilion dollarë, që shumë menaxherë fondesh këmbëngulin se duhet t’i përkasë çdo portofoli të ekuilibruar, shkruan The Economist.

Tregtarët dixhitalë janë bërë një forcë e madhe në Wall Street. PayPal ka 392 milionë përdorues, një shenjë që Amerika po arrin hapat e gjigantëve të pagesave dixhitale në Kinë.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, siç shpjegon raporti i The Economist, turbullira më pak e dukshme në kufirin midis teknologjisë dhe financës mund të jetë elementi më revolucionar në këtë mes: krijimi i valutave dixhitale qeveritare, të cilat zakonisht synojnë t’u mundësojnë njerëzve që të depozitojnë fonde direkt në një bankë qendrore, duke anashkaluar huadhënësit konvencionalë.

Këto monedha qeveritare ose “govcoins” janë një mishërim i ri i parave. Ato synojnë të bëjnë që bota e financës të funksionojë më mirë, por gjithashtu edhe të zhvendosin pushtetin nga individët tek shteti, të ndryshojnë gjeopolitikën dhe mënyrën e ndarjes së kapitalit. Këto duhet të trajtohen me optimizëm dhe përulësi.

Një dekadë më parë…

Rreth një dekadë më parë, mes rrënojave të Lehman Brothers, Paul Volcker, ish-kreu i Rezervës Federale, tha se inovacioni më i fundit i dobishëm i bankave ishin ATM-të. Që nga kriza, industria e ka ngritur lojën e saj. Bankat kanë modernizuar sistemet e tyre.

Sipërmarrësit kanë ndërtuar një botë eksperimentale të “financave të decentralizuara”, ku bitcoin është pjesa më e famshme dhe kjo botë përbëhet nga të dhëna dhe kanale që bashkëveprojnë në shkallë të ndryshme me financat tradicionale. Ndërkohë, firmat financiare të “platformës” tani kanë mbi 3 miliardë konsumatorë që përdorin portofolat elektronike dhe aplikacionet e pagesave. Krahas PayPal janë edhe specialistë të tjerë si Ant Group, Grab dhe Mercado Pago, firma të njohura si Visa, dhe Silicon Valley, dhe të tjera si Facebook që po përpiqen të hyjnë në këtë fushë.

Sot…

Monedhat dixhitale qeveritare ose të bankës qendrore janë hapi i ardhshëm, por ato vijnë me një disavantazh, sepse do ta përqendronin pushtetin te shteti, në vend që ta përhapnin atë nëpërmjet rrjeteve ose t’ua jepnin monopoleve private. Ideja e tyre është e thjeshtë. Në vend që të mbani një llogari në një bankë me pakicë, ju do ta bënit këtë direkt në një bankë qendrore nëpërmjet një lidhjeje që u ngjan aplikacioneve të tilla si Alipay ose Venmo.

Në vend që të shkruani çeqe ose të paguani online me kartë, ju mund të përdorni mjetet e lira të Bankës Qendrore. Dhe paratë tuaja do të ishin të garantuara nga besimi i plotë i shtetit, jo nga një bankë e pasigurt. Dëshironi të blini një pica ose të ndihmoni një vëlla ose motër në gjendje të vështirë financiare? Nuk është e nevojshme të merreni me qendrat Call Center të Citigroup apo të paguani tarifat e Mastercard: Banka e Anglisë dhe Rezerva Federale janë në shërbimin tuaj.

Kjo metamorfozë e bankave qendrore nga aristokratët e financave, te punëtorët, tingëllon si e tepruar, por është duke ndodhur. Mbi 50 autoritete monetare, që përfaqësojnë pjesën më të madhe të PBB-së globale, po eksplorojnë monedhat dixhitale. Bahamas ka lëshuar para dixhitale. BE-ja dëshiron një euro virtuale deri në vitin 2025, Britania ka nisur një task forcë dhe Amerika, hegjemoni financiar i botës, po ndërton një dollar elektronik hipotetik.

Frika e humbjes së kontrollit

Një motivim për qeveritë dhe bankat qendrore është frika e humbjes së kontrollit. Sot bankat qendrore shfrytëzojnë sistemin bankar për të amplifikuar politikën monetare. Nëse pagesat, depozitat dhe kreditë migrojnë nga bankat në fusha dixhitale të drejtuara privatisht, bankat qendrore do ta kenë të vështirë të menaxhojnë ciklin ekonomik dhe të injektojnë fonde në sistem gjatë një krize. Rrjetet private të pambikëqyrura mund të bëhen një vatër e mashtrimeve dhe abuzimeve të privatësisë.

Motivimi tjetër është premtimi për një sistem financiar më të mirë. Në një botë ideale, paratë sigurojnë një depo të besueshme vlere, një njësi të qëndrueshme llogarie dhe një mjet efikas pagese. Në realitet, paratë e sotme japin sinjale të ndryshme. Depozituesit e pasiguruar mund të vuajnë nëse bankat dështojnë, bitcoin nuk pranohet gjerësisht dhe kartat e kreditit janë të shtrenjta. Monedhat elektronike qeveritare do të kishin shumë sukses, pasi ato janë të garantuara nga shteti dhe përdorin një qendër të lirë pagese.

Si rezultat, monedhat qeveritare mund të shkurtojë shpenzimet operative të industrisë globale financiare, që arrijnë në mbi 350 dollarë në vit për çdo person në Tokë. Kjo mund ta bëjë financën të aksesueshme për 1.7 miliardë njerëz që nuk kanë llogari bankare. Monedhat dixhitale të qeverisë mund të zgjerojnë gjithashtu instrumentet e qeverive duke u mundësuar atyre të bëjnë pagesa të menjëhershme për qytetarët dhe të ulin normat e interesit nën zero. Për përdoruesit e zakonshëm, tërheqja e një mjeti pagese falas, të sigurt, të menjëhershëm dhe universal, është një avantazh i dukshëm.

Rreziqet

Sidoqoftë, pikërisht kjo anë tërheqëse krijon rreziqe. Monedhat qeveritare të pakufizuara, mund të kthehen shpejt në një forcë dominuese në financë, veçanërisht nëse efektet e rrjetit e bëjnë të vështirë që njerëzit të kenë ndonjë zgjedhje tjetër. Ato mund të destabilizojnë bankat, sepse nëse shumica e njerëzve dhe firmave do të grumbullonin paratë nëpër banka qendrore, huadhënësve do t’u duhej të gjenin burime të tjera financimi me të cilat të mbështesnin huatë e tyre.

Nëse bankat me pakicë do të mbeteshin pa financim, dikush tjetër duhej të merrte përsipër huadhënien që nxit krijimin e biznesit. Kjo ngre perspektivën e padëshirueshme të burokratëve që ndikojnë në alokimin e kredive. Në një kohë krize, një dyndje dixhitale e kursimtarëve në bankën qendrore mund të shkaktojë përçarje bankare.

Pas rritjes së popullaritetit, monedhat qeveritare mund të kthehen në mjete të shtetit për të kontrolluar qytetarët: për shembull, mendoni një gjobë elektronike të menjëhershme për thyerje të rregullave. Ato gjithashtu mund të ndryshojnë gjeopolitikën, duke siguruar një kanal për pagesa ndërkufitare dhe alternativa të tjera ndaj dollarit, monedhës rezervë të botës dhe një pikë jetike e ndikimit amerikan.

Mbretërimi i dollarit mbështetet pjesërisht në tregjet e hapura të kapitalit të Amerikës dhe të drejtat e pronës, me të cilat Kina nuk mund të rivalizojë. Por gjithashtu mbështetet në sistemet e vjetra të pagesave, konventat e faturimit dhe inercinë – që e bëjnë të cenueshme. Vendet e vogla kanë frikë se, në vend që të përdorin para lokale, njerëzit mund të përdorin në masë monedha të huaja elektronike, duke shkaktuar kaos në vend.

Para të reja, probleme të reja

Një spektër kaq i gjerë mundësish dhe rreziqesh është tronditës. Prandaj, autokratët e Kinës, të cilët vlerësojnë kontrollin mbi të gjitha, po kufizojnë përdorimin e juanit elektronik dhe po kontrollojnë platforma private si Ant. Shoqëritë e hapura gjithashtu duhet të operojnë me kujdes në lidhje me llogaritë e valutave dixhitale.

Qeveritë dhe firmat financiare duhet të përgatiten për një ndryshim afatgjatë, në mënyrën e funksionimit të parave, po aq i rëndësishëm sa kalimi në monedha metalike ose karta pagese. Kjo do të thotë se duhen të forcohen ligjet e privatësisë, të reformohet mënyra se si drejtohen bankat qendrore dhe të përgatiten bankat me pakicë për një rol më dytësor. Monedhat dixhitale shtetërore janë eksperimenti i ardhshëm i shkëlqyer në financë dhe ato pritet të jenë shumë më të rëndësishme se ATM-të e thjeshta.