Çfarë nënkupton në praktikë objektivi i ri i BQE-së? Banka do të synojë një inflacion prej 2%, në vend të objektivit “afër, por nën 2%”
Për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj 23-vjeçare, Banka Qendrore Europiane (BQE) kishte objektivin e paqartë të inflacionit “nën, por afër, 2%”, shkruan The Economist. Askush nuk e dinte se çfarë do të thoshte me saktësi, por konsensusi midis ekonomistëve ishte se banka po synonte inflacionin në nivelin 1.7-1.9% në rajon.
Sidoqoftë, inflacioni i ulët i jepte kësaj pyetjeje një natyre thuajse akademike. Inflacioni mesatar vjetor në Eurozonë që nga viti 2013, ka qenë vetëm 0.9%, krahasuar me 1.9% në Amerikë, edhe pse normat e interesit janë nën zero dhe BQE ka blerë bono qeveritare dhe të korporatave për vite me radhë, në një përpjekje për të nxitur ekonominë.
Vështirësitë që ka hasur banka për të arritur objektivin e saj, kanë nxitur pikëpyetje. Vitin e kaluar, Christine Lagarde, presidentja e BQE-së, nisi të rishikonte strategjinë e bankës. Përfundimet e rishikimit u publikuan më 8 korrik. Banka planifikon të përfshijë në këtë strategji ndikimin e ndryshimit klimatik dhe të pasqyrojë konsideratat e klimës në blerjet e saj të aseteve. Ajo gjithashtu synon t’i kushtojë vëmendje kostos së zotërimit të një shtëpie, kur studion inflacionin (sepse, në kontrast me praktikën në vendet e tjera të pasura, kjo nuk përfshihet në matjen e çmimeve të konsumit në Eurozonë). Banka publikoi edhe një objektiv të ri simetrik të inflacionit, prej 2%.
Ky objektiv i ri më i qartë, është i mirëpritur dhe mund të shmangë shqetësimet se BQE-ja do të rrisë normat e interesit përpara se të sigurohet një rimëkëmbje ekonomike, siç veproi në vitet 2008 dhe 2011. Më 8 korrik, zonja Lagarde bëri të ditur se ndryshimi fitoi mbështetje unanime nga këshilli drejtues i bankës me 25 persona. Por është më e ndërlikuar të qartësohet se çfarë do të thotë kjo për politikën monetare të BQE-së.
Si fillim, strategjia duket se nënkupton gjëra të ndryshme për vlerësues të ndryshëm. Jens Weidmann, kreu i Bundesbank dhe anëtar i këshillit qeverisës të BQE-së, u përpoq të tregonte se megjithëse inflacioni mund të devijonte përkohësisht nga objektivi, BQE-ja nuk do të synonte ta tejkalonte atë. Kjo është në kontrast me Rezervën Federale të Amerikës, e cila gjithashtu kohët e fundit rishikoi objektivin e saj.
Ajo tashmë planifikon të synojë një inflacion mesatar prej 2%, duke toleruar një periudhë tejkalimi në mënyrë që të kompensojë për mungesat e së kaluarës. Por, Olli Rehn, guvernatori i Bankës Qendrore të Finlandës, tha më 9 korrik se priste që reagimi i BQE-së ndaj një tronditjeje, të ishte mjaft i ngjashëm me atë të Rezervës Federale.
Pikëpamjet e ndryshme mund të shpjegojnë pse janë të paktë analistët që presin ndryshime të mëdha, edhe pse zonja Lagarde premtoi se takimi i ardhshëm i politikës monetare të bankës më 22 korrik, do të sqaronte se çfarë nënkuptonte objektivi i ri për politikën monetare. (BQE-ja aktualisht po blen 80 miliardë euro, ose 95 miliardë dollarë, në obligacione qeveritare në muaj.)
Ekonomistët në Bankën Barclays, mendojnë se rishikimi nuk duhet të ketë efekt në rrugën afatshkurtër të politikës monetare dhe se BQE-ja do të vazhdojë të mbështesë Eurozonën duke blerë bono. Analistët në Bankën Morgan Stanley, parashikojnë që BQE mund të njoftojë se do të hedhë poshtë skemën e blerjes së aseteve të lidhura me pandeminë, dhe në vend të kësaj, do të përmirësojë një program më të vjetër të blerjes.
Pa ndryshime të mëdha, është e vështirë të shihet se si BQE-ja mund të bëjë një punë më të mirë për të arritur objektivin. Në qershor, një sërë parashikuesish ekonomikë, përfshirë ata në Bankën Qendrore, parashikuan se inflacioni në rajon do të ishte në nivelin 1.4-1.5% në vitin 2023. Nëse arrin të bindë me sukses investitorët dhe familjet se është serioze në objektivin e saj aktual, atëherë banka duhet të shpjegojë sesi do të jetë në gjendje ta arrijë këtë objektiv, kur nuk mundi dot të përmbushte objektivin e saj të vjetër.