Çka përmban Ligji për Tregtinë me produkte të naftës që u miratua në Kuvend?

Gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës është miratuar Ligji për Tregtinë me produktet e naftës, i cili pritet ta rrisë kontrollin mbi pompat e benzinës dhe kontrollin më rigoroz të cilësisë së derivateve që vijnë në Kosovë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, gjatë fjalimit të saj në Kuvend, tha se ligji i ri siguron mekanizmat e duhur për zbatimin e kushteve ligjore dhe siguron cilësinë e naftës para hyrjes në treg dhe kudo në treg te operatorët dhe te konsumatorët. Kjo pasi mbikëqyrja inspektuese është fuqizuar.

Ajo gjithashtu përmendi edhe se mbikëqyrja e tregut të naftës tanimë do të jetë më transparente dhe shteti do ta informojë publikun për të gjitha shkeljet, siç i njofton edhe operatorët për detyrimet e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Ligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburantet e ripërtëritshme u miratua në parim dje në Kuvend me gjithsej 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministrja Hajdari theksoi se kohëzgjatja e lejeve me këtë ligj tashmë është rritur nga 2 vjet në 6 vjet, dhe se për këtë tregti shteti ka pritur më shumë një dekadë.

Hajdari bëri me dije se sektori i naftës është i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin ekonomik por edhe për sundimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e konkurencës si dhe integrimin evropian në përgjithësi, përcjell Buletini Ekonomik.

“Ky projektligj ofron këto përparësi do të ketë mekanizma që lidhen me prodhimin dhe përpunimin, procedurat e lejeve janë të thjeshtësuara, bizneset do ta kenë më të lehtë pajisjen me leje por njëherësh shteti do të ketë më të lehtë administrimin dhe mbikëqyrjen e lejeve. Pra, do të kemi thjeshtësime dhe do të fuqizojmë procedurat”, u shpreh tutje Hajdari para deputetëve.

Ndërkohë, dy partitë opozitare, LDK dhe AAK, e mirëpritën këtë ligj, duke thënë se do ta japin kontributin e tyre mes dy leximeve të projektligjit dhe se presin që të miratohet në pikë të parë kjo pikë.

Albena Reshitaj, deputete nga radhët e AAK-së tha se është i një rëndësie të veçantë serioziteti i institucioneve në kontrollimin e importit të naftës që futet në Republikën e Kosovës dhe jo vetëm kontrolli i cilësisë por edhe inspektimi dhe kontrollimi i funksionit të laboratorëve përkatës.

“Deri më sot vendi jonë nuk ka informacione shkencore në lidhje me impaktin e kualitetit të dobët të naftës që është fut në territorin e Kosovës”, shtoi Reshitaj.

Kurse, nga Partia Demokratike e Kosvës (PDK) thanë se ligji si i tillë, sipas tyre ka disa mangësi.

“Ne e kundërshtojmë këtë mënyrë të hartimit të këtij ligji. Jemi kundër. Do të duhej t`i kthehet qeverisë sepse edhe ky ligj është servu nga e kaluara nuk është ligj i kësaj qeverie”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala. /Buletini Ekonomik/