Pabarazia midis grave dhe burrave në tregun e punës që u përkeqësua për shkak të pandemisë COVID-19 do të vazhdojnë.
Kështu thuhet në raportin “Ndërtimi i së Ardhmes me Drejtësi: Të drejtat e grave për të punuar dhe në punë në thelbin e rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19” prezantuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP), duke shtuar se do të ketë 13 milionë gra më pak të punësuara në 2021 krahasuar me 2019, ndërsa punësimi i burrave do të rimëkëmbet.
“Rritja e parashikuar e vendeve të punës në 2021 për gratë tejkalon atë të burrave, megjithatë do të jetë e pamjaftueshme për t’i rikthyer gratë në nivelet e punësimit para-pandemisë COVID-19”, njofton ILO, përcjell Telegrafi.
Vetëm 43.2 për qind e grave në botë do të kenë punësim në vitin 2021 krahasuar me 68.6 për qind të burrave.
Raporti thekson se, ngacmimi gjinor në marrëdhënie pune u përkeqësuan gjatë pandemisë.
“Dhuna në familje si dhe dhuna dhe ngacmimi gjinor në marrëdhënie pune u përkeqësuan gjatë pandemisë, duke minuar edhe më shumë mundësitë e grave që të angazhohen në punë të paguar”, thuhet në raport.
Ndërmjet viteve 2019 dhe 2020, punësimi i grave ra me 4.2 për qind, duke përfaqësuar një rënie prej 54 milionë vendeve të punës ndërsa punësimi i burrave ra me 3 për qind ose 60 milionë vende pune.
Në Evropë, punësimi i grave ishte më i ulët për 2.5 për qind, derisa burrat u përballën me një rënie prej 1.9 për qind.