A do të vazhdojë puna në distancë edhe në të ardhmen?

Një vështrim se si kjo mund të ndryshojë në mënyrë radikale qytetet

Nëse kompanitë do të lejonin më shumë nga punonjësit e tyre që të punonin nga shtëpia përgjithmonë, bizneset do të mblidheshin drejt qendrave të qyteteve, ndërsa njerëzit do të jetonin kryesisht në periferi, duke rezultuar në më pak bllokim trafiku dhe në ulje të çmimeve të pasurive të paluajtshme në qendër të qytetit.

Këto janë gjetjet kryesore nga një model i krijuar për të parashikuar ndryshimet e nxitura nga pandemia në Los Anxhelos. Shumë nga këto ndryshime kishin filluar të ndodhnin në pranverën e vitit 2020, kur filloi ky studim.

Autorët donin të ndërtonin një model që mund të tregonte efektet e punës nga shtëpia në një periudhë më të gjatë kohore pas pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

Ky model është si një botë artificiale ku njerëzit virtualë zgjedhin se ku të jetojnë dhe ku të punojnë. Kompanitë virtuale ofrojnë punë për punonjësit, ndërsa zhvilluesit virtualë të pasurive të paluajtshme ofrojnë zyra, magazina dhe banesa, duke vendosur çmime që përputhen me ofertën dhe kërkesën.

Duke përdorur informacionin përpara fillimit të pandemisë lidhur me vendin ku jetonin dhe punonin njerëzit, autorët ndërtuan modelin e zonës metropolitane të Los Anxhelosit bashkë me ekonomistin Matt Delventhal. Modeli përdor gjithashtu të dhëna nga përpara fillimit të pandemisë për çmimet e pasurive të paluajtshme komerciale dhe rezidenciale.

Nga viti 2012 deri në vitin 2016, më pak se 4% e punonjësve punonin nga shtëpia në zonën metropolitane të Los Anxhelosit. Sot, kjo shifër është rreth 40%.

Bazuar në vlerësimet se rreth një e treta e punonjësve në Los Anxhelos kanë punë që mund të kryhen nga distanca, modeli parashikon tre efekte të rëndësishme afatgjata nëse puna në distancë bëhet e përhershme sipas këtyre përmasave:

• Banorët do të lëviznin gjithnjë e më shumë nga zonat e qytetit drejt periferisë, ndërsa kompanitë do të shkonin drejt qendrës.

• Çmimet mesatare të pasurive të paluajtshme rezidenciale dhe komerciale do të bien në zonat qendrore të qytetit, ndërsa çmimet e banesave në periferi do të rriten.

• Bllokimi i trafikut do të lehtësohej kudo dhe koha e udhëtimit për në punë do të zvogëlohej.

Pse kanë rëndësi këto gjetje

Ardhja e pandemisë në fillim të vitit 2020 përmbysi jetën e përditshme për miliona punonjës në mbarë botën, si dhe për bizneset që i punësojnë ata.

Puna nga shtëpia, diҫka e pazakontë përpara pandemisë, u bë një domosdoshmëri, gjë që i bëri punëdhënësit dhe punonjësit të kuptojnë se puna në distancë është e këndshme dhe produktive.

Kjo rezultoi në migrime të mëdha të njerëzve që u shkëputën nga punëdhënësit e tyre. Në Los Anxhelos, rritja e punës në distancë bëri që punonjësit të zhvendoseshin në periferi, duke rritur çmimet e pasurive të paluajtshme. Modeli e çon këtë situatë një hap më tej, duke supozuar se këto ndryshime do të jenë të përhershme.

Parashikimi mund të kthehet në realitet. Që nga viti 2020, blerësit e shtëpive që zhvendosen nga qytetet drejt periferive janë duke larguar qiramarrësit me të ardhura më të ulëta nga zonat periferike.

Kjo sugjeron që ky model mund të jetë një mjet i vlefshëm për të ndihmuar drejtuesit e bizneseve, ekonomistët, politikëbërësit dhe të tjerët për të marrë vendime më të mira, teksa përpiqen të kuptojnë ndikimet e gjera ekonomike të pandemisë në qytetet e tyre.

Çfarë nuk dihet ende

Cilido model është një simulim i realitetit. Në modelin tonë, të gjithë punonjësit dhe punëdhënësit janë identikë. Megjithatë, përgjigjet në realitet të tipeve të ndryshme të punonjësve dhe kompanive në rritjen e punës në distancë mund të variojnë.

Një e dhënë e panjohur e rëndësishme është efekti i vazhdueshëm i punës në distancë te produktiviteti. Gjatë pandemisë, punëdhënësit dhe punonjësit shënuan rënie të ndjeshme në produktivitet. Por pati edhe raste kur punonjësit ishin më produktivë duke punuar nga shtëpia.

Në të njëjtën kohë, produktiviteti përfiton shpesh nga mundësitë për të ndërtuar dhe për të mbështetur rrjete profesionale. Këto rrjete mund të dobësohen kur një numër më i madh njerëzit kalon më shumë kohë duke punuar në distancë. / Fast Company