Agjencia Kundër Korrupsionit ka hedhur sot shortin për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë në institucionet publike.
Pjesë e kësaj liste janë edhe dy nga krerët e shtetit, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Por përveç tyre, në mesin e 954 zyrtarëve që janë përzgjedhur për t’iu nënshtruar procesit të verifikimit të pasurisë për vitin 2021, nga 4 mijë e 796 zyrtarë të cilët kanë pasur obligim që ta deklarojnë pasurinë e tyre, janë edhe një numër i madh i deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të cilëve do t’u kontrollohet pasuria janë: Jahja Kokaj, Armend Muja, Fjolla Ujkani, Mimoza Kusari-Lila, Mefail Bajqinovci, Fitim Uka, Fatmir Humolli, Valon Ramadani.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetët Vlora Dumoshi e Anton Quni do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë, ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës janë deputetja Blerta Deliu Kodra dhe deputeti Ferat Shala, shkruan Reporteri.
Pjesë e listës së dalë nga shorti është edhe deputetja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi.
Ndërsa nga Grupi Parlamentar Multietnik janë deputetet Fidan Jilta dhe Samra Iljazi.
Kontrollit të plotë të pasurisë do t’i nënshtrohet edhe deputetja e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Jasmina Dediç.