Komuna e Vushtrrisë e udhëhequr nga kryetari Xhafer Tahiri, ka dështuar në mbikëqyrjen e menaxhimit të kontratave për projekte kapitale gjatë vitit 2020.
Kështu nga kjo komunë kanë dhënë gjithsej 536 mijë e 430 euro për tri projektet përkatëse, mirëpo pas përfundimit të kontratave shumica e punëve mbetën pa u kryer nga operatorët ekonomikë, përcjell Buletini Ekonomik.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për këtë komunë ka gjetur se në tri raste ka pasur mangësi në ekzekutimin apo menaxhimin e kontratave.
Rrjedhimisht, pagesat për punë të pa kryera mund të rezultojnë me dëmtim të buxhetit dhe keqpërdorim të parasë publike, vlerësojnë nga ZKA.
Te kontrata “Ndërtimi i fushës ndihmëse të stadiumit të futbollit” projekt ky në vlerë të 118 mijë e 527 eurove, Auditori ka konstatuar se te pjesa për ndërtimin e zhveshtoreve, pozicioni 15 ishte paguar në tërësi sasia e kontraktuar, ndërsa nuk ishte bërë muratimi i komplet mureve të brendshme. Ndërsa te pozicioni 21 që kishte të bënte me Furnizimin dhe vendosjen e tjegullave (kulmi), ishte ndryshuar dhe kulmi ishte bërë me llamarinë. Ky ndryshim, sipas ZKA-së nuk është evidentuar në situacionin që ishte procesuar për pagesë dhe nuk kishte ndonjë aprovim formal.
Ndërkohë, te kontrata “Ndërtimi i sallës sportive në SHMU-1” në vlerë prej 260 mijë e 666 euro, ishin evidentuar disa pozicione të cilat ishin paguar në tërësi por që nuk ishin kryer punët. Pozicionet që ishin paguar pa u kryer punët kishin të bënin me punët e zdrukthtarisë përkatësisht pozicionet: 13.2, 13.3, 13.7, 13.8, 13.9, 13.10, 13.11, 13.12 dhe 13.3. E vlera totale e këtyre pozicioneve të paguara por që nuk ishin punuar ishte gjithsej 3 mijë e 320 euro.
Gjithashtu edhe te kontrata “Ndërtimi i objektit për ruajtjen e patates në fshatin Pestovë” që kushtoi gjithsej 157 mijë e 237 euro, pozicioni 1.2 i paramasës së kontraktuar (çmimi i kontraktuar është jo normalisht i lartë) ishte paguar në tërësi për pozicionin që pëmbante punë për pastrimin e terrenit në fund të punimeve, ndërsa nuk ishte dashur të paguhet.
Nga menaxheri i kontratës, ZKA-ja ishte njoftuar edhe se objekti nuk është duke u ndërtuar në vendin e paraparë me projekt dhe se gjithashtu mungonin aprovimet formale nga ZKA për ndryshimin e lokacionit për ndërtim.
“Të gjitha këto ndryshime në realizimin e kontratave janë bërë pa aprovimet e Zyrtarit Kryesor Administrativ (ZKA) dhe zyrës së prokurimit, siç kërkohet me ligjin dhe rregullat/udhëzuesin për prokurimin publik. Duhet theksuar se menaxherët e kontratave ishin në njohuri për kërkesat ligjore për prokurimin publik lidhur me aprovimet e nevojshme për ndryshimin e kontratave, ngase dukuria e mangësive në menaxhimin e kontratave përsëritet edhe në raportin e auditimit të vitit paraprak”, ceket tutje në raportin e ZKA-së rreth shkeljes së marrëveshjeve për prokurimin publik nga operatorët ekonomikë.
E ekzekutimi i punëve në kundërshtim me paramasën dhe parallogarinë e kontraktuar pa aprovimin e ZKA-së dhe zyrës së prokurimit shpërfaq dobësitë në kontrollet e ushtruara nga menaxhmenti i lartë, thonë nga ZKA.
“Kjo mund të ndikojë në cilësinë e punëve të kryera si dhe mund të rezultojë që për shkak të ndryshimit të kushteve të kontratës nuk është përzgjedhur operatori më i lirë”, thuhet tutje në raport.
Rekomandohet që kryetari të sigurohet se menaxherët e kontratave dhe çertifikuesi, aplikojnë kontrolle efektive në procesin e shpenzimit të parasë publike dhe menaxhimn e kontratave për tu siguruar se pagesat bëhen vetëm sipas çmimeve të kontraktuara dhe punëve/furnizimeve të realizuara. Po ashtu, për gabimet financiare dhe ndryshimet e identifikuara, komuna duhet të sigurohet se do të bëhet kthimi i mjeteve financiare në buxhetin e komunës dhe realizohen aprovimet e nevojshme për kontratat të cilat ende nuk janë përmbyllur. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/