Miratohet rishikimi i Buxhetit të Kosovës për vitin 2021

Kuvendi i Kosovës

Deputetet e Kuvendit të Kosovës me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin për vitin 2021.

Në hyrje të diskutimit, kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja ka thënë se, disa nga kontratat që kanë qenë për efektet paraelektoral janë anuluar, shkruan Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Mujës, ky rishikim po bëhet për ta mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të vendit nga pandemia COVID-19.

Ndërsa, ky rishikim ishte kundërshtuar nga partitë opozitare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se asnjë amendament i deputetëve të opozitës nuk është pranuar në rishikimin e Buxhetit për vitin 2021.

Hamza ishte shprehur se Projektligji ka një diskrepancë me atë që parashihet në Programin Qeveritar.

Kurse sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj rishikimi i Buxhetit nuk është bërë mbi nevojat e qytetarëve.

Ditë më parë, me shumicë votash Kuvendi kishte miratuar në lexim të parë rishikimin e Buxhetit.

Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Po ashtu, është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.