Telekomi i Kosovës kishte përfituar gjatë vitit 2020 një shumë prej 4.7 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës në kuadër të masave për rimëkëmbje ekonomike.
Mirëpo, këto mjete nuk u përdorën për qëllimin fillestar, e që ishte rimëkëmbja e ndërmarrjes e cila po përballet që një kohë të gjatë me situatë të vështirë financiare.
Auditori i Përgjithshëm gjeti se pjesa më e madhe e këtyre mjeteve shkuan në llogari të Z-Mobile-it, për shkak se kompania ia kishte bllokuar llogaritë Telekomit përmes përmbaruesit privat.
“Prej tyre 3,300,000 euro ishin inkasuar nga përmbaruesi privat për shlyerjen e borxhit ndaj Dardafon ndërsa pjesa tjetër ishte përdorur për të paguar një pjesë të obligime tatimore dhe kontributeve pensionale dhe obligime tjera të shpenzimeve operative”, thuhet në raportin e ZKA-së për Telekomin, të vitit 2020.
Telekomi ishte përballur dy herë me bllokim të llogarive gjatë vitit 2020, pasi e kishte humbur rastin në Arbitrazh me kompaninë Dardafon, përkatësisht Z-Mobile. Shuma e borxhit që duhet ta paguaj Telekomi është 26 milionë euro.
Fillimisht më 15 korrik 2020, ish-MVNO Dardafon, përmes përmbaruesit privat kishte filluar përmbarimin duke bllokuar llogaritë e kompanisë dhe ekzekutuar një pjesë të borxhit, rreth 3.3 milion euro.
Pas dy javësh kreditori kishte zhbllokuar përkohësisht llogaritë për t’i bllokuar sërish në tetor 2020 pas dështimit të arritjes së një marrëveshje mes palëve për planin e pagesave të borxhit. Me datë 17 nëntor 2020 palët kanë arritur marrëveshje për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit.
Borxhi i mbetur sipas kësaj marrëveshje është 17,281,142 euro i cili do të paguhet në 24 këste mujore. Kësti mujor do të jetë 720,048 euro, shtuar edhe 7 euro kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit. /Buletini Ekonomik/