Gjiganti kinez i smartfonëve, Xiaomi, do të gjenerojë rreth 1.2 miliardë dollarë nëpërmjet emetimit të borxhit, në një kohë kur autoritetet po gjurmojnë gjigantët e teknologjisë të Kinës. Xiaomi do të emetojë rreth 800 milionë dollarë obligacione me afat maturimi në vitin 2031, me një kupon prej 2.875%.
Të ardhurat do përdoren për “qëllime të përgjithshme korporative”- sipas një formulari rregullator. Prodhuesi i pajisjeve elektronike do të emetojë gjithashtu një obligacion të gjelbër prej 400 milionë dollarë, me një kupon prej 4.1% në vit.
Obligacionet e gjelbra janë borxh i emetuar për të gjeneruar para në mbështetje të projekteve të mjedisit. Xiaomi tha se të ardhurat do të shkojnë në financimin e projekteve nën “rrjetin e gjelbër të financave”.
Xiaomi, prodhuesi i tretë më i madh i telefonave në botë, ka vazhduar të zgjerohet në nivel botëror dhe po synon të hyjë në fusha të reja si makinat elektrike. Në muajin mars, Xiaomi bëri të ditur se do të prezantojë makinën elektrike të biznesit dhe do investojë 10 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.
Emetimi i borxhit të Xiaomi vjen ndërkohë që Pekini ka shtuar mbikëqyrjen e sektorit të teknologjisë. Në vitin e kaluar, qeveria prezantoi rregulla të reja në fusha si teknologjia financiare, mbrojtja e konkurrencës dhe të dhënave./Scan Tv/