Themelimi i Gjykatës Komerciale pritet të sjellë investime të huaja në Kosovë

Në Kosovë po mirëpritet themelimi i Gjykatës Komerciale. Kjo gjykatë pritet të sjellë investime, por iniciativa për themelim po shihet e vonuar.

Pas votimit në Qeveri dhe miratimit në komisionin parlamentar për Legjislacion, Projektligji për Gjykatën Komerciale do të shkojë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ky projektligj ka qenë i domosdoshëm për shkak të numrit të pakët të gjyqtarëve në Departamentin Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Kryesuesi i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tregon qëllimin e themelimit të kësaj gjykate.

“Themelimi i kësaj gjykate ka për qëllim të krijojë strukturën në kuadër të sistemit tonë gjyqësorë, në mënyrë që t’i shërbejë vetëm lendeve që lidhen me çështje ekonomike, tregtare, komerciale etj.”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Adnan Rrustemi, përcjell Telegrafi.

Nga Oda e Afarizmit tregojnë se cili do të jetë funksioni i kësaj gjykate.

“Gjykata Komerciale do të jetë gjykatë e specializuar e shkallës së parë dhe të dytë që do të zgjidh të gjitha kontestet e bizneseve, ekonomike, administrative dhe të gjitha ankesat e urdhrave përmbarimorë”, deklaroi Diellza Zeqiri nga Oda e Afarizmit.

Njohësi i çështjeve ekonomike Ekzon Kastrati thotë se themelimi i kësaj gjykate do të krijojë një klimë më të favorshme për bizneset dhe do të jetë stimul për ardhjen e bizneseve tjera.