Bajrami i reagon ministrit për vlerën e kontratave të negocuara: 161 milionë euro peshon gënjeshtra e Hekuran Murati

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë të pavërteta kur deklaroi se kontratat e negociuara në mesatare janë një milionë euro për ministri. Ajo tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se në më pak se tre vite janë nënshkruar 209 milionë euro kontrata sekrete vetëm nga niveli qendror, shkruan Gazeta Express.

Ajo deklaroi se vlera e kontratave që e paraqiti Murati me vlerën reale ka dallim 161 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Për me pak se tri vite janë nënshkru 209 milionë euro kontrata sekrete vetëm nga niveli qendror. Janë 16 ministri që nëse kish qënë mesatarja 1 milionë euro në vit për ministri do të duhej të ishin 48 milionë euro kontrata sekrete për tri vite, POR sipas KRPP-së janë nënshkru 209 milionë euro. Diferenca në mes 209 dhe 48 milionë euro është 161 milionë euro. Kaq peshon gënjeshtra e Hekuran Muratit”, tha Bajrami.

Kështu sipas saj “gënjeshtra”, e Muratit peshon 161 milionë euro.

“Vetëm një nga gënjeshtrat e ministrit të financave që sot e tha  në seancë peshon hiq më pak se 161 milionë euro. Për shkaqe objektive nuk jam në seancë por ministri i financave po thotë plot të pavërteta. Ai për kontratat e negociuara tha se në mesatare janë një milionë euro për ministri. Kjo nuk është e vërtetë. Tjetra, ai prapë i referohet skandalit të Thesarit, por anashkalon faktin se drejtorin e Thesarit e ka bë guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës. Koncentrohu ministër! Po për shlyrjen e borxheve ambalazhuesëve të ujit çka ka me thanë ministri i financave?!”, tha tutje ajo.