Delta pas variantit Beta. Varianti Delta është rreziku më i madh që i kanoset ekonomisë amerikane.
Ishte e pashmangshme që rritja ekonomike globale të ngadalësohej që nga ritmi i shfrenuar, menjëherë pas rihapjes së ekonomive. Kohët e fundit, investitorët kanë filluar të shqetësohen për diçka më të keqe: që ekonomia e Amerikës, e cila ka udhëhequr rimëkëmbjen mes vendeve të pasura, së shpejti mund të ngadalësohet ndjeshëm.
Së bashku me pengesat e furnizimit dhe tërheqjen e stimulit ekonomik, SHBA-ja, si shumë vende të tjera, tani po përballet me variantin ultra-infektiv Delta. Një ngadalësim i dhimbshëm ekonomik nuk është aspak i pamundur. Vala e re e virusit është rreziku më i madh i tanishëm.
Për të parë se si ka të ngjarë të zhvillohen valët e fundit të koronavirusit në botën e pasur, merrni parasysh që më 20 korrik, Amerika raportoi një mesatare 7-ditore prej 112 rastesh të reja për çdo një milion njerëz. Në këtë pikë ndodhej afërsisht Britania në mes të qershorit, para se të përhapej varianti Delta, por njëkohësisht kishte një normë më të lartë vaksinimi dhe më shumë masa kufizuese. Britania tani ka 699 raste për një milion banorë, niveli i pestë më i lartë në botë. Nëse gjithçka tjetër është e barabartë, varianti Delta përhapet dy ose tre herë më shpejt se virusi fillestar.
Fatmirësisht, vaksinat i parandalojnë pothuajse të gjitha rastet e rënda të sëmundjes dhe trajtimet janë përmirësuar, duke shpëtuar më shumë jetë. Kjo është arsyeja pse Anglia i hoqi pothuajse të gjitha kufizimet më 19 korrik. Por vaksinat nuk parandalojnë të gjitha infeksionet simptomatike.
Delta është aq infektiv sa që vendet do ta kenë të vështirë të vaksinojnë popullsitë e tyre drejt pragut të imunitetit në masë, që ndalon përhapjen e sëmundjes. Duke pasur parasysh se 44% e amerikanëve të të gjitha moshave nuk kanë marrë asnjë dozë të vetme, rastet në Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të rriten. Shtete si Misisipi dhe Luiziana, ku rreth tre në pesë persona janë plotësisht të pavaksinuar, rrezikojnë të goditen nga shpërthime të papritura dhe të rënda të virusit.
Pasojat ekonomike do të varen nga mënyra se si reagojnë politikëbërësit dhe konsumatorët. Deri tani, Los Anxhelos ka rikthyer urdhrin e mbajtjes së maskave dhe New Orleans thotë se po merr në konsideratë kufizime të reja. Edhe nëse vaksinat i lejojnë politikëbërësit që të shmangin kthimin e masave të rrepta, konsumatorët mund të jenë shumë të shqetësuar për të frekuentuar baret dhe restorantet. Në Britani, masat e lëvizshmërisë janë ulur vetëm paksa që nga qershori, por është ende herët. Rritja eksponenciale nënkupton se gjërat mund të ndryshojnë shpejt.
Rreziku nga Delta është më shqetësues se problemet e tjera, me të cilat përballet rimëkëmbja e Amerikës: që oferta mund të mos e përballojë dot kërkesën dhe stimuli ekonomik do të hiqet. Për sa kohë që ekonomia qëndron e hapur, ajo mund t’i kalojë këto pengesa.
Mungesat në mikroçipa dhe mungesa e hapësirave në anijet transportuese të mallrave, kanë rritur inflacionin e çmimeve të konsumit në 5.4%. Pagat reale kanë rënë vitin e kaluar, pasi çmimet në rritje kanë dëmtuar fuqinë blerëse të punëtorëve dhe ka shenja se inflacioni ka filluar të shqetësojë konsumatorët.
Por gjatë pandemisë, familjet kanë grumbulluar 2.5 trilionë dollarë në kursime shtesë, ekuivalente me 12% të PBB-së në vitin 2019. Sipas sondazhit Gallup, në qershor, një numër rekord amerikanësh u përgjigjën se ishin mjaft mirë financiarisht. Për sa kohë që amerikanët dalin nga shtëpitë e tyre, sektori i shërbimeve mund të fuqizojë ekonominë.
Madje, tërheqja e disa formave të stimulit ekonomik mund të ndihmojë. Industritë e shërbimeve kanë mungesë në punëtorë. Heqja e ndihmave shtesë të papunësisë, që do të marrë shkallë kombëtare në fund të shtatorit, mund të rikthejë disa njerëz në tregun e punës.
Politika të tjera, si anulimi i moratoriumeve në fund të korrikut, janë një burim pasigurie. Por çdo ngërç i mundshëm ka më tepër gjasa të jetë i izoluar sesa i përhapur, sepse tregu i strehimit po lulëzon dhe vendet e lira të punës janë të shumta.
Që rimëkëmbja ekonomike të mund të vazhdojë, njerëzit duhet të jenë të gatshëm të kenë kontakte mes tyre. Megjithatë, në Amerikë dhe në të gjithë botën, kjo është pikërisht ajo që vihet në rrezik nga varianti Delta./monitor.al/