Kurti: Ky është Bordi i fundit i AKP-së

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), pas propozimit të kandidatëve për bordin e ri, të cilin Kurti e ka quajtur të fundit në krye të AKP-së.
Ai ka përmendur themelimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore.
Emrat të cilat Qeveria ka propozuar për tu bërë anëtarë të këtij bordi janë si vijon: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.
Statusi i plotë:
Për një shoqëri demokratike e që i jep mundësi zhvillimit e progresit, sot i propozuam Kuvendit bordin e ri të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky vendim nis përgatitjen e transformimit të kësaj agjencie dhe ndaljes së tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë.
Privatizimi i egër që nisi në vitin 2002, nuk ishte brutal vetëm nga aspekti socio-ekonomik. Në qershor 2012, ish kreu i AKP-së u gjet i therrur me 11 të rëna të thikës në një vdekje të dhunshme që ende mbetet enigmatike.
Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë e Bankës Zhvillimore. Nuk do të jetë lehtë dhe as s’e bëjmë dot përnjëherë. Mirëpo, ndryshimi për të cilin votuan qytetarët dhe programi ynë qeveritar janë rruga e së ardhmes. Andaj, ky edhe është bordi i fundit i AKP-së.