Shpesh marrim me vete në valixhe edhe mendime për punën dhe nuk ia dalim të shkëputemi prej saj.
Shumë prej nesh punojnë me ritme shumë të shpejta gjatë gjithë vitit, dhe kur vjen koha e pushimeve nuk ia dalin të shkëpusin mendimet nga problemet profesionale. Në plazh, gjatë një shëtitje në mal, apo të shtrirë në shezlong, mendja ndodhet gjithnjë aty, në zyrë, në dyqan, në lëvizje. Krijohet përshtypja se e marrim punën me vete në valixhe dhe ndjesia se nuk e përjetojmë pushimin ripërtëritës që aq shumë e dëshironim.
Ky është një problem më i përhapur se sa mund të mendoni me të cilin përballeni edhe në momentet e kohës së lirë, si për shembull në një mbrëmje me familjen.
Përse na ndodh kjo gjë? Për këtë, i jemi drejtuar Federica Cagnoni, profesore në shkollën e specializuar në psikoterapinë e shkurtër strategjike në Arezzo, e cila na jep disa këshilla praktike për të bllokuar mendimet e pandërprera ndaj punës
Ndjesia e kontrollit nuk ka kohë të lirë
Duke mos anashkaluar rastet klinike të fiksimit, shumë prej nesh priren të jenë hiperaktivë nga pikëpamja profesionale. Duam apo s’duam, ritmet që imponojnë disa profesione nuk na përkasin. Duhet të vraponi gjithnjë në një perceptim të vazhdueshëm se jeni vonë në gjithçka.
“Mendimi i vazhdueshmi i punës nuk është asgjë tjetër veçse një formë kontrolli e mendjes sonë. Duke menduar për detyrat tona profesionale, duke e thjeshtuar shumë, ne mendojmë se e kemi situatën në kontroll. Në përgjithësi, ata që nuk mundin të shkëpusin mendimet nga çështjet profesionale, punojnë me një ritëm shumë të shpejtë dhe ndërsa bëjnë një gjë, ata, tashmë po mendojnë për tjetrën. Është një predispozitë mendore që konsolidohet me kalimin e kohës”.
Sistemi ynë perceptues dhe qëndrimi ynë ndaj jetës janë të strukturuara rreth veprimeve që ne përsërisim. Kështu ndodh që në mënyrë paradoksale, ata që janë hiperaktivë në punë, nëse përpiqen të zbrazin kokën me forcë gjatë pushimeve, përballen me ndjesi të pakëndshme.
“Të mos mendosh se çfarë do bësh, ndonjëherë mund të krijojë tension – një lloj humbje kontrolli. Anasjelltas, të menduarit krijon një efekt qetësues. Për këtë arsye, u kërkojmë njerëzve që vijnë në terapi dhe ankohen për këtë shqetësim që të krijojnë një hapësirë të kufizuar gjatë ditës për të menduar për çështjet e punës; më pas, dalëngadalë ata duhet të ndalen, nëse është e nevojshme falë asaj që ne e quajmë sprova”.
Pushim me çdo kusht
Nuk ka dyshime se kuptimi i konceptit të pushimeve është në disa aspekte subjektiv. Sidoqoftë, ne kemi një model të përsëritur në mendjet tona: fjala pushime është baras me relaksim absolut, me çdo kusht. Por ky konceptim nuk i përshtatet të gjitha llojeve të personalitetit.
“Ata që e kanë të vështirë të shkëputen nga puna është e rëndësishme të zhvillojnë aftësinë për t’i dhënë vetes pak kohë të lirë. Por është po aq e vërtetë që nuk mund të mendohet se një person hiperaktiv mund të përqafojë pa problem një javë pushimesh në relaks të plotë. Ndonjëherë kjo na bën të mendojmë edhe më shumë për punën. Në këtë rast duhet t’i kujtojmë vetes se pushime do të thotë të bësh atë që nuk mundeni kur jeni i përkushtuar ndaj punës. Me pak fjalë ato aktivitete të këndshme, që ritmet e imponuara nga puna nuk na e lejojnë. Ky është me të vërtetë pushim”.
5 këshilla që të reshtni së menduari për punën gjatë pushimeve
1.Për ata që duan të shkëputen, por nuk munden
Ky është rasti i parë – disa do të bënin gjithçka për t’u shkëputur, por puna nuk ia bën të mundur. “Këta persona janë të dënuar ta marrin punën me vete edhe në pushime, sepse atyre u kërkohet t’i përgjigjen gjithsesi telefonit apo email-eve” shpjegon Federica Cagnoni.
2.Dy këshilla praktike
Dy këshilla të Cagnoni mund t’ju ndihmojnë me të vërtetë, edhe në thjeshtësinë e tyre, nëse ndodheni në këtë situatë. “Së pari duhet të shmangni absolutisht të flisni për punën me njerëzit me të cilët po kaloni pushimet. Së dyti, është thelbësore të shkëputeni në një hapësirë të kufizuar, por të mirëpërcaktuar, para se të niseni me pushime, për të kryer këto operacione të nevojshme. Pasi t’i keni përfunduar ato, pjesa tjetër e ditës nuk duhet të ndikohet.
3.Për ata që duan të shkëputen nga puna, por nuk munden
Këtu problemi është më shumë psikologjik se sa i lidhur me profesionin. Përveç “komplotit të heshtjes” së punës të sapopërshkruar, është e rëndësishme të eliminoni çdo formë lidhje (veçanërisht dixhitale) me punën. “Për disa është e mjaftueshme kjo, por për të tjerë, mendja nuk shkëputet. Kjo ndodh në veçanti kur ata nuk janë të përfshirë në një aktivitet konkret, fillojnë të mendojnë për punën”.
4. Një strategji paradoksale
Strategjia paradoksale, sprova siç e quajnë në Qendrën e Terapisë Strategjike në Arezzo, mund të përmblidhet si më poshtë: nëse pavarësisht përpjekjeve tuaja nuk mund të ndaloni së menduari për punën, atëherë duhet ta detyroni veten të punoni sa herë që ndodh. Është e rëndësishme të njihet në këtë rast dallimi midis të menduarit dhe të punuarit.
5. Rezultati
“Në përgjithësi ndodh që herët e para pacientët nisin të punojnë; por duke qenë se të punosh gjatë pushimeve nuk i pëlqen askujt, pas disa rastesh, ata ia dalin të bllokojnë automatikisht mendimin e punës. Për të tjerë, kjo teknikë funksionon që në fillim: vetëdija se duhet të punosh bllokon menjëherë mendimin e punës”. /Vanity Fair Italia/