Qeveria i kërkon ZKA-së që t’i auditojë Trepçën dhe KEK-un

Qeveria e Kosovës ditëve të fundit i ka dërguar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) një kërkesë, përmes së cilës kërkohet që të auditohen edhe dy ndërmarrjet publike, Trepça sh.a., dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Këto dy ndërmarrje publike nuk janë audituar asnjëherë nga ZKA-ja, pasi që të njëjtat nuk kanë kërkuar auditim më herët nga ky instiutucion.

Mirëpo, siç mëson Buletini Ekonomik, në adresë të ZKA-së tashmë ka shkuar një kërkesë e tillë nga Qeveria e Kosovës, që të fillohet procesi i auditimit edhe në Trepçë e edhe në KEK.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, në maj të këtij viti, gjatë raportimit të Auditorit të Përgjithshëm në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kreu i ZKA-së Besnik Osmani, kishte thënë se KEK-u nuk kishte bërë kërkesë më herët për auditim të ndërmarrjes, mirëpo në të ardhmen ZKA-ja nuk kanë ndonjë pengesë për të filluar auditimin e saj.

Kështu, ai pati thënë se njëra ndër ndërrmarrjet publike të radhës që do t’i futen procesit të auditimit nga ZKA-ja do të jetë pikërisht KEK-u.

“Nuk më kujtohet që ka bërë kërkesë KEK për auditim. Nuk kemi pengesë për auditim. Në 2016 nuk ka pasur asnjë ndërmarrje që është audituar. Qëllimi im ka qenë që të fillojmë me ndërmarrje të vogla” kishte thënë Osmani.

As ndërmarrja tjetër publike, Trepça sh.a., nuk është audituar asnjëherë nga ZKA-ja. /Buletini Ekonomik/