Uji shqiptar “pushton” Europën dhe Dubain, dyfishohen eksportet

Eksportet e ujit të ambalazhuar kanë shënuar rritje të ndjeshme në 2020-n dhe kjo tendencë ka vijuar edhe këtë vit. Sipas operatorëve, eksportet për Europën dhe Dubain janë rritur deri 60% më shumë se vjet, ndërsa me Kosovën janë dyfishuar.

Eksportet e ujit, sipas të dhënave të doganave, në 5-mujorin e 2021 janë rritur 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, në 2020, eksportet u rritën 39% krahasuar me 2019. Operatorët kryesorë të tregut raportojnë 50% rritje të eksporteve.

Thanas Siveri, administratori i ujit “Lajthiza”, tha se për të përballuar fluksin e lartë të kërkesës nga tregjet e huaja kanë nisur investimin për ngritjen e një fabrike të re. Investimi i kompanisë “Lajthiza” pritet të përfundojë brenda dy viteve.

Reklama e sponzorizuar

“Kërkesa për eksporte është shumë e lartë dhe nuk arrin të plotësohet nga kapaciteti aktual prodhues. Përparësi për furnizim është tregu vendas dhe për këtë arsye, për të përmbushur kërkesën gjithmonë në rritje të eksporteve, kemi nisur investimin për ngritjen e një fabrike të re. Krahasuar me vitin e kaluar, eksportet këtë vit janë rritur 50-60%. Përveçse në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, për herë të parë këtë vit po eksportojmë edhe në Angli. Eksportet vazhdojnë në Zvicër, Gjermani dhe Dubai”.

Edhe për kompaninë “Qafshtama”, eksporti i ujit është rritur. Administratori i kompanisë Florant Dautaj tha se aktualisht eksportohet në Kosovë dhe së shpejti dhe do të nisë eksporti edhe në Maqedoninë e Veriut. “Krahasuar me vitin 2020, eksportet janë dyfishuar, si rrjedhojë e zgjerimit të rrjetit të shpërndarjes dhe rritjes së klientëve në Kosovë”.

Për herë të parë, këtë vit, në Malin e Zi nisi eksporti i ujit “Dukati”. “Në qershor të këtij viti morëm certifikimin nga shteti shqiptar edhe ai malazez dhe kemi arritur të bëjmë eksportin e parë të ujit. ‘Dukati’ do të jetë i pranishëm në Malin e Zi me të gjitha formatet, ato familjare dhe për tregun HoReCa”, thekson administratori i kompanisë, Franci Ndreka.

Edhe kompania “Blu Imperial” synon të eksportojë ujin “Selita” në tregjet arabe dhe rajon. “Në tërësi, në sektorin e ujit është vënë re që shitjet janë rritur edhe në 2020 kur ishte viti i pandemisë. Në muajt e stinës së verës, 70% e shitjeve të ujit janë brenda vendit. Ne synojmë që në muajt e dimrit të rrisim eksportet në vendet arabe, pasi atje, gjatë gjithë vitit, moti është i nxehtë dhe konsumi është e lartë. Shumë shpejt pritet të nisim eksportin e ujit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha drejtori i përgjithshëm, Julian Beqiri.

Parashikimet optimiste

Tregtarët e ujit janë optimistë për ecurinë e shitjeve edhe pas përfundimit të sezonit turistik. Avantazh për përmirësimin e situatës konsiderohet hapja e ekonomisë, zgjatja e orareve të funksionimit të strukturave të shërbimit, shtimi i lëvizjeve. “Pritshmëritë tona për 6-mujorin e dytë të vitit 2021 janë pozitive. Parashikohet një rritje 25% krahasuar me 6-mujorin e dytë të vitit 2020”, thotë z. Dautaj nga kompania “Qafshtama”.

Konsumi i ujit, përveçse është jetik, është edhe i shëndetshëm. Në periudhë pandemie, kërkesa për produkte të shëndetshme u rrit. Administratori i kompanisë “Dukati”, Franci Ndreka, thotë se ky zakon i fituar nga frika e Covid-19, do të vazhdojë.

“Pandemia ishte sfidë e madhe për shumë biznese në të gjithë botën, por shifrat kanë treguar që produktet e shëndetshme janë preferuar më shumë. Vihet re rritje e përgjithshme e konsumit të produkteve ushqimore dhe pijeve në gjithë botën, gjithashtu edhe në Shqipëri”.