El Salvadori i ndarë në prag të legalizimit të Bitcoinit si monedhë zyrtare

Në El Salvador ka rritje të skepticizmit në kohën kur shteti po përgatitet të bëhet i pari në botë që të njohë Bitcoinin si monedhë të ligjshme, duke filluar nga 7 shtatori.

Qeveria e El Salvadorit e ka paraqitur masën si një mënyrë për të rritur zhvillimin ekonomik dhe vendet e punës.

Ndërkohë, sondazhet sugjerojnë se qytetarët salvadorian nuk janë të përgatitur për këtë lëvizje, derisa edhe Banka Botërore është paraqitur kundër adoptimit të monedhës digjitale si legale.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, analistët kanë deklaruar se kjo është “një lëvizje përmes së cilës kërkohet rritje e vëmendjes” nga një “regjim autoritativ”.

Dita historike e javës së ardhshme pason një votim nga ligjvënësit në qershor të këtij viti, për legalizimin e kriptomonedhës.

Sipas ligjit El Salvadorit për Bitcoin , bizneset do të jenë të detyruara ta pranojnë atë ose dollarin amerikan, monedhën tjetër zyrtare të vendit, si pagesë.

Më shumë se 200 makina të reja të keshit janë duke u instaluar nëpër El Salvador, të cilat mundësojnë që dollari të konvertohet në Bitcoin.

Disa protesta në kryeqytetin San Salvador kanë dëshmuar një mëdyshje në mesin e qytetarëve, shumë prej të cilëve ende nuk janë familjarizuar me kriptovalutën.

Ndërkaq, një hulumtim i kryer nga Universiteti i Amerikës Qendrore gjeti se vetëm 4,8% nga 1,281 respodentë, e kuptonin se çka është Bitcoini dhe se si përdoret ai.

Sipas sondazhit, më shumë se 68% e të anketuarve theksonin se nuk pajtohen me përdorimin e tij si valutë zyrtare.