Në vitin 2020, komuna e Podujevës kishte subvencionuar dy fermerë pa e përmbushur asnjë kriter për marrjen e subvencioneve.
Fermerët në fjalë kishin përfituar pajisje në vlerë të 989 eurove- mullinj për prodhimin e udhqimit për kafshët, pa i përmbushur kriteret sipas ftesës publike të bërë nga komuna, përcjell Buletini Ekonomik.
Rasti i parë kishte dërguar bashkë me aplikacion, vërtetimin nga një ambulancë veterinere për posedimin e kinse 7 krerë gjedhesh, mirëpo nga dokumentet e aplikimit më pas është vërejtur që tri nga shtatë gjedhet ishin me numër identifikues të një fermeri tjetër.
Ndërkohë, pas ekzaminimeve të bëra nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është vërejtur se përfituesi i lartëcekur nuk posedonte asnjë gjedhe, dhe në të njëjtën kohë as Komisioni i vlerësimit të Aplikacioneve nuk e ‘kishte vërejtur’ këtë mangësi fare.
Në anën tjetër, sipas ftesës publike për subvencionim me mullinj për prodhimin e ushqimit për kafshë përfituesit duhen të dorëzojnë vërtetimin nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUVK) me të cilin dokumentojnë se posedojnë të paktën shtatë (7) krerë gjedhe apo 3,000 shpezë dhe gjithashtu edhe vërtetimin e tatimit në pronë se nuk kanë obligime ndaj komunës.
“Në dy raste kemi vërejtur që përfituesit e subvencioneve ishin shpërblyer me pajisje – mullinj për prodhimin e ushqimit për kafshë (vlera për një pajisje – mullinj ishte 989€) pa i përmbushur kriteret e kërkuara sipas ftesës publike”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.
Në rastin e dytë, përfituesi nuk kishte bashkangjitur vërtetimin e tatimit në pronë me të cilën dokumentonte se nuk kishte borxh ndaj komunës si dhe kishte aplikuar dy ditë pas afatit (Aplikim 28.07.2020 kurse afati për aplikim kishte qenë 24.07.2020).
Sipas Auditorit, edhe ky si të gjithë aplikuesit tjerë kishte ofruar vërtetimin nga një ambulancë veterinere e jo nga AUV-i për të dokumentuar numrin e gjedheve apo shpezëve.
E gjithë kjo kishte ndodhur për shkak se komisioni vlerësues nuk kishte bërë një shqyrtim të drejtë të aplikacioneve duke mos bërë krahasimin ndërmjet aplikacioneve, dëshmitë e bashkangjitura në raport me kriteret e vendosura.
ZKA-ja bënë me dije se anashkalimi i kritereve me thirrjen publike ka rezultuar që të përzgjidhen përfituesit që nuk i kanë përmbushur kriteret e përcaktuar duke subvencionuar fermerë jo adekuat.
Rekomandohet që kryetari i komunës të sigurohet që përzgjedhja e përfituesve nga komisionet të bëhet vetëm pasi të jenë plotësuar kërkesat e përcaktuara me thirrjen për aplikim.
“Po ashtu, gjatë vendosjes së kritereve në ftesa publike të qartësohet saktësisht se nga cili institucion relevant dhe i besueshëm plotësohen kriteret e kërkuara”, përfundon raporti. /Buletini Ekonomik/