Lluksi në ministrinë e Gërvallës – E quajnë të “domosdoshme” shpenzimin e rreth 6 mijë euro për TV dhe telefona të modelit të ri me ngjyrë të zezë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes zyrës së Prokurimit ka bërë thirrje për furnizim me katër telefona mobil dhe tre Smart TV. E për blerjen e këtyre pajisjeve, ministria që udhëhiqet nga Donika Gërvalla pritet t’i shpenzoj 5 mijë e 760 euro nga taksapaguesit e shtetit.

Gazeta Insadjeri është interesuar për të zbuluar se për çfarë i nevojiten ministrisë katër telefona të modelit të ri me specifika si “me ngjyrë të zezë” dhe tre TV me kosto aq të madhe.

Në një përgjigje që Zyra për media ka kthyer, thuhet se furnizimi me këto pajisje është për ‘nevoja të domosdoshme të Ministrisë’.

Reklama e sponzorizuar

Në përgjigjen e tyre për Insadjerin thuhet se TV’të janë për sallat e trajnimeve dhe një telefon për Divizionin për Komunikim Publik ndërsa tre të tjerë për nevojat e Divizionit të Emergjencave dhe Certifikuesin.

Ju njoftojmë se kontrata për “Furnizim me Smart TV dhe telefona celular”, është pjesë e planit vjetor të prokurimit brenda MPJD-së. Furnizimi me këto pajisje është për nevoja të domosdoshme të Ministrisë. Smart TV janë për sallat e trajnimeve, një telefon është për Divizionin Për Komunikim Publik, ndërsa tjerat për nevojat e  Divizionit të Emergjencave dhe Certifikuesin”, thuhet në përgjigje.

Javën e kaluar, zyra e prokurimit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë njoftim për kontratë për “Furnizim me Smart TV dhe telefona celular ”.

Siç bëhet e ditur në kontratën e publikuar në KRPP, ministria ka paraparë blerjen e 4 telefonave celular dhe 3 smart TV.

Sipas njoftimit, për këtë qëllim, MPJD ka parashikuar të nënshkruaj kontratë deri në 5 mijë e 760 euro dhe për këtë aktivitet të prokurimit ministria përdori procedurën e koutimit të çmimit me kriter të dhënies së kontratës me çmimin më të ulët.

Ministria ka paraqitur edhe specifikacionet për blerjen e smart TV dhe telefonave.

MPJD po kërkon 3 smart TV me rezolucion 4K Ultr HD (3840*2160).

Ndërsa për telefona, MPJD ka kërkuar blerjen e modeleve të reja të Samsung me 64 GB dhe 128 GB, ngjyrë të zezë.

Afati i fundit për dorëzimin e tenderëve është deri me datë 27.03.2023, ora 13:30:00.