Mikrofinancat i rrisin kamatat tek kreditë konsumuese, arrin në 23 për qind

Institucionet mikrofinanciare në Kosovë gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë rritur normat e interesit për kreditë konsumuese dhe për ato në sektorin e shërbimeve.

Kreditë konsumuese në këtë periudhë kishin pasur një rritje prej 0.8 pikë përqindje, duke arritur kështu në gjithsej 22.9 për qind si normë e interesit.

Sipas raportit më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, rreth “Vlerësimit Tremujor të Sistemit Financiar” në vend, një rritje marxhinale kishin shënuar edhe normat e interesit për kreditë ndaj sektorit të shërbimeve, të cilat deri më tani historikisht kishin kushtet më të favorshme për të marrë kredi, duke shkuar në 15.5 përqind gjatë tremujorit të parë të këtij viti, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, tek ekonomitë familjare, norma e interesit kishte shënuar një rënie në pikë, për 0.8 pikë përqindje, duke arritur në 21.5 përqind gjatë TM1 2021.

Rënie kishte shënuar edhe norma mesatare e interesit tek kreditë hipotekare, me ç’rast ishte zvogëluar për 2.1 pikë përqindje në gjithsej 19.9 përqind në tremujorin e parë të 2021-s.

E në përgjithësi, gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, norma mesatare e interesit në të gjitha kreditë që ofronin institucionet mikrofinanciare në vend, qëndroi në 20.1 përqind, apo për 0.6 pikë përqindje më e ulët se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas vlerësimit të BQK-së, edhe tek korporatat jo financiare, ishte vërejtur se norma mesatare e interesit në kredi ishte zvogëluar, për 0.6 pikë përqindje, në 17.8 përqind.

Në aspektin sektorial, normë më të favorshme të interesit brenda institucioneve mikrofinanciare deri më tani kishin kreditë e orientuara për sektorin e shërbimeve, të pasuara nga kreditë për sektorin e bujqësisë dhe industrisë.

Në anën tjetër edhe norma mesatare tremujore e interesit për kreditë e bujqësisë dhe industrisë kishte shënuar rënie vjetore për 0.6 përkatësisht 0.4 pikë përqindje, konstatohet tutje në raportin e BQK-së.

Ndryshe, Kreditë individuale/konsumuese janë kredi pa ndonjë destinacion të veçantë me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës, të projektuara veçanërisht për individë, me të hyra stabile nga paga, qiraja, apo pensionet./Buletini Ekonomik/