Minstria e Infrastrukturës gjatë vitit 2020 ka shpenzuar nga buxheti i saj 162 mijë e 555 euro për të paguar 32 zyrtarë të cilët nuk dolën asnjë ditë të vetme në punë.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditmit këta punonjës ishin të komunitetit serb për të cilët ishte paraparë të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës, ndërkohë që ata nuk u lajmëruan fare.
“Deri në muajin tetor 2020, për këta të punësuar nuk na janë ofruar dëshmi të vijimësisë në punë. Nga muaji tetor, të njëjtit ishin nënshkruar në listat e vijimësisë, ndërsa ministria nuk kishte hartuar objektiva të punës, me ç’rast nuk kishte ndodhur as procesi i vlerësimit për punët e realizuara” thuhet në raportin e ZKA-së.
Në bazë të konfirmimeve zyrtare të drejtorive përkatëse këta të punësuar nuk kishin realizuar asnjë aktivitet në ministri përgjatë vitit 2020, ashtu siç ishte paraparë me aktemërimet e tyre.
Ndërkohë që mungesa e objektivave të punës për këta 32 zyrtarë, ndikon drejtpërdrejt në mos arritjen e qëllimeve të përcaktuara nga ministria lidhur me punësimin e tyre, që njëherit mund të shkaktoj edhe pagesa të parregullta.
Auditori rekomandon që ministri duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të mundësoj realizimin e aktiviteteve të parapara me aktemërime për këta të punësuar bazuar në objektiva të qarta të përcaktuara paraprakisht nga ministria. Gjithashtu, duhet të bëhet monitorimi i tyre i vazhdueshëm, ashtu siç parashihet me aktet ligjore./Buletini Ekonomik/