Kafeja është një nga produktet më popullore në Shqipëri dhe vendet e rajonit dhe ndër më të konsumuarat, por kohët e fundit, çmimi i saj, sidomos në bare dhe restorante, është rritur ndjeshëm.
Në Tiranë, ditët e fundit, një kafe u shit 10 lekë më shtrenjtë duke pasur parasysh rritjen që u bë pas daljes nga karantina me 10-20 lekë. Në një vit, çmimi i kafesë në baret e Tiranës është rritur nga 15-30 lekë, sipas zonave.
Aktualisht në qendër dhe zonat rreth saj, një filxhan kafe kushtoi 90-120 lekë nga 70-90 lekë para se të fillonte pandemia. Çmimi i kafesë është rritur edhe në njësitë e pakicës ku 100 gramë tani shiten 130-140 lekë, nga 110 lekë para pandemisë. Një kilogram kafe “Arabica” u shit në tregjet ndërkombëtare me 4.7 euro për kilogram, me një rritje 73% në raport me vitin 2019 dhe 30% në raport me korrikun e vitit 2020.
Enri Jahaj, i cili Drejton Shoqatën e Bareve dhe Restoranteve, tha se çmimi i kafesë në bare dhe restorante ka vend për rritje të mëtejshme, pasi sipas tij, Shqipëria ka nivelet më të ulëta të produktit në rajon. Ai tha se aktualisht në rajon, 1 kafe në bare kushton minimumi 1 euro, prandaj edhe në Shqipëri çmimi do të shkojë drejt këtij standardi. Jahaj pohon se kafeja është një produkt tërësisht importi, ndaj rritja e çmimeve në tregjet e huaja reflektohet menjëherë edhe në tregjet vendase.
Rritja e çmimit të kafesë në tregjet ndërkombëtare u nxit nga ngrica shkatërruese në prodhuesin kryesor të kafesë në Brazil dhe kostot rekord të transportit të shkaktuara nga COVID-19. Çmimet e kafesë rritën më tej koston e një shporte blerjesh, pas rritjes së artikujve të tjerë si buka, vajrat vegjetale dhe sheqeri. Indeksi i Agjencisë Ushqimore të Kombeve të Bashkuara për çmimet botërore të ushqimit, për muajin korrik tregoi një rritje vjetore prej 31%, në një kohë kur shumë konsumatorë po luftojnë financiarisht për shkak të pandemisë.