“Trepça”, paratë nga shitja e mbetjeve industriale i përdori jashtëligjshëm për paga

Një raport i Auditimit të Brendshëm në Trepçë hedh dyshime serioze për keqmenaxhim të të hyrave nga shitja e mbetjeve industriale, si dhe për procesin e shitjeve në tërësi. Dy kontrata tashmë kanë përfunduar në Drejtorinë për Krime Ekonomike me iniciativë të Bordit të “Trepçës”.

 Mirjeta Shabani

Ndërmarrja publike Trepça Sh.A., për vite me radhë, mjetet e përfituara nga shitja e mbetjeve industriale të fërgesës së piritit dhe pirotinës, dyshohet se i ka destinuar për paga dhe mëditje, ndonëse sipas aksionarit kërkohej që këto mjete të shfrytëzoheshin vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Reklama e sponzorizuar

Veç kësaj, në katër vitet e fundit e njëjta kompani ka fituar tenderin për mbetjet industriale, pa mundësinë e konkurrencës.

Këto janë vetëm dy shkeljet bazë që ka identifikuar Auditori i Brendshëm në Trepçë, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik, në së paku dy kontrata për shitjen e mbetjeve industriale. Raporti i Auditorit hedh dyshime serioze për keqmenaxhim të të hyrave nga Trepça për 4 vite me radhë nga shitja e mbetjeve.

Trepça operon me vite pa asnjë rregullore për shitjen e mbetjeve industriale, pa ndonjë softuer për menaxhim të shitjeve, si dhe pa asnjë studim fizibiliteti të këtyre mbetjeve të rrezikshme.

Sipas kërkesës së Trepçës drejtuar AKP-së për lejimin e shitjes së këtyre mbetjeve, kushti i vetëm për lejimin e shitjes së mbetjeve industriale të fërgesës së piritit dhe pirotinës, ishte që mjetet nga shitja të lejohen të tërhiqen vetëm për investimet kapitale brenda ndërmarrjes dhe vetëm në raste të jashtëzakonshme për Trepçën, edhe atë vetëm me aprovim të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizmit (AKP).

Mirëpo, kjo nuk është respektuar fare nga bordet e mëhershme të ndërmarrjes, pasi për katër vite, mjeteve të përfituara nga këto shitje iu ndërrua destinimi, pra nga kategoria e investimeve kapitale shkuan në shpenzim të mjeteve nga kategoria Paga dhe mëditje.

Kjo “përbën shkelje të rëndë të Ligjit për Financat Publike”, përshkruan Auditimi i Brendshëm i ndërmarrjes Trepça Sh.A.

Në vitin 2017, mjetet e grumbulluara nga shitja e fërgesës së piritit dhe pirotinës ishin në vlerë të 8 mijë e 439 euro, më 2018 shifra kishte shkuar në 18 mijë e 428 euro, më 2019 ishte trefishuar në 50 mijë e 528 euro, kurse në vitin 2020 kishte arritur në gjithsej 70 mijë e 206 euro.

Të gjitha shitjet e mbetjeve industriale iu besuan vetëm një operatori ekonomik, përkatësisht kompanisë “APFELBAUM”.

Përpos kësaj, kjo ndërmarrje operon edhe pa ndonjë softuer adekuat për menaxhimin e shitjeve, prandaj sipas raportit të brendshëm të Auditimit, edhe menaxhimi i i shitjeve në këtë ndërmarrje është i pamundur të bëhet sipas ligjeve aktuale që e rregullojnë këtë fushë, dhe si proces mund të ketë ndikime dhe të kalohen pa u vërejtur afatet kohore për arkëtimin e mjeteve financiare nga shitjet deri te liferimi i mallit në Trepça Sh.A.

Trepça, sipas këtij auditimi, nuk ka fare as menaxher i cili do ta bënte mbikëqyrjen e realizimit të kontratave me operatorët ekonomik.

Raporti i Auditimit të Brendshëm ka nxjerrë në pah edhe shkeljet tjera, ku kontratat për shitjen e piritit dhe pirotinës nga Trepça ishin vazhduar pa ndonjë plan të Liferimit të mallit të shitur, i cili do duhej të planifikonte saktë kohën për liferimin e mallit të shitur.

Ndërkohë, mungesa e një plani të Liferimit të mallit të shitur pamundëson përcjelljen e dinamikës së realizimit dhe kushteve të kontratës, kurse mos përgatitja e planit të liferimit ndikon në rritjen e të hyrave të shtyera të ndërmarrjes.

Menaxhmenti i Trepçës nuk ishte pajtuar me këtë konkludim të auditimit të brendshëm duke thënë se “Referojuni Kontratës dhe Aneks Kontratave, koha e Liferimit deri me 31.12.2024”.

Mirëpo, nga Auditimi i Brendshëm del se në kontratë dhe ankes-kontrata është e përcaktuar vetëm koha e liferimit dhe nuk gjendet asnjë plan i detajuar për liferimin e mbetjeve industriale.

Edhe tejkalimi i afatit të kontratës ishte njëri nga problemet me të cilat ishte manifestuar kjo shitje e mbetjeve industriale.

Për shitjen e mbetjeve industriale të piritit dhe pirotinës, sipas ligjit për Trepçën, do duhej patjetër një raport i studimit të fizibilitetit dhe të paraqitet një përbërje e përafërt e mbetjeve industriale.

Mirëpo, gjatë procesit të auditmit, Auditori ka konstatuar se në procedurën e shpalljes për shitjen e Fërgesës së Piritit dhe Pirotinës dhe mbetjeve industriale të Jarositit, mungon raporti i vlerësimit apo studimit të fizibilitetit me specifikim të përbërjes së përafërt të mbetjeve industriale.

E një studim i fizibilitetit do të mund të kishte ndikim me efekte pozitive si në interesimin e sa më shumë Operatorëve Ekonomik për ofertim e po ashtu edhe në ngritjen e çmimit të mbetjeve industriale të Trepça Sh.A, vlerësojnë tutje nga njësia e Auditimit.

Në anën tjetër, sipas auditimit të brendshëm, bazuar në ligjin LIGJI Nr. 05/L-120 për Trepçën Sh.A. mbetjet industriale janë pasuri dhe për shitjen e mbetjeve industriale të Jarositit nuk kemi studim të fizibilitetit dhe as aprovim të aksionarëve.

Ndërkaq, menaxhmenti i Trepçës nuk është pajtuar prapë as me këtë konkuldim të auditimit të brendshëm, dhe se sipas tyre, në vitin 2016, Trepçës i është lejuar shitja e 700.000 tonëve mbetje të Oksid Piritit nga Bordi i AKP-së.

Në përgjigjen e tyre dhënë Zyrës së Auditimit të Brendshëm, thuhet se “Trepça përmes shpalljes publike Vendore dhe Ndërkombëtare në magazinën më të lexuar për metale në Londër ‘Metal Bolletin’, ku kostoja e kësaj shpallje ka qenë 2,655 funta, ka shpallur në shitje 700,000 tonë”.

Pra, Trepça ka paguar gjithsej 3 mijë e 118 euro (2.655 funta) për një shpallje të shitjes së 700 mijë tonëve oksid piriti në magazinën ‘Metal Bolletin’ në Londër, nga e cila ishte pranuar vetëm një ofertë, ku i ishin shitur 100 mijë tonë kompanisë së njëjtë Apfelbaum, me mundësi rritjeje të sasisë në rast të interesit reciprok.

Ndërmarrja Trepça Sh.A., për shitjen e fërgesës së Piritit dhe Pirotinës me Operatorin Ekonomik, APFELBAUM SHPK, kishte marrdhënie kontraktuale nga data 25.10.2016 deri më 25.10.2019 me mundësi vazhdimi edhe për dy vite.

Operatori Ekonomik në fjalë më datë 10.10.2019 ishte drejtuar me kërkesë për vazhdimin e kontratës, por Trepça Sh.A., nuk kishte dhënë përgjigje, deri më 23.01.2020, ku edhe kishte vazhduar kontratën me Apfelbaum me aneks-kontrata me kohëzgjatje për katër vite të ardhshme.

Megjithatë, edhe pas përfundimit të kontratës mes Trepçës dhe kompanisë Apfelbaum, plus para se të vazhdonte projektin me aneks-kontrata, në muajin dhjetor të 2019-s, ndërmarrja Trepça kishte lejuar të njëjtën kompani të bëjë tërheqjen e 2 mijë e 732 tonëve Pirit dhe Pirotinë nga miniera, në vlerë të 18 mijë e 442 euro, edhe pse kontrata tashmë kishte dy muaj që kishte skaduar.

Edhe pagesa e depozitës për kontratën nga ana e operatorëve ekonomik gjithashtu ishte vonuar dhe nuk ishte bërë me kohë sipas kontratës.

E “vonesat e pagesave nga Operatorët Ekonomik, për pagesat e depozitës ndikojnë negativisht në realizimin e planeve të ndërmarrjes Trepça Sh.A., e po ashtu ndikojnë negativisht në realizimin e kontratave sipas periudhës së kontraktuar”, thuhet në raport.

Për kontratën e shitjes së fërgesës së piritit dhe pirotinës, avansi për pagesë arrinte në 150 mijë euro, kurse për kontratën për shitjen e jarositit ishte 10 mijë euro.

Ndërkohë, gjatë procesit të Auditimit për shitjen e Jarositit , Zyra e Auditimit të Brendshëm ka konstatuar se Trepça Sh.A., ka vazhduar kontratën për shitjen e Jarositit dy herë radhazi me aneks- kontratë, me ç’rast ishin ndryshuar edhe kushtet e kontratës së parë bazë.

Në aneksin e parë të kontratës ishte ndryshuar Neni 2 i kontratës nr 325/2020, duke shtyrë kështu afatin kohor për pagesën e avansit prej 30% të vlerës së kontratës (120000 ton) nga 60 ditë në 10 muaj nga dita e nënshkrimit të kontratës. Kurse, në aneksin e dytë të kontratës ishte ndryshuar Neni 2 i kontratës nr 325/2020, duke shtyrë afatin kohor dhe formën e pagesës.

“Kjo formë e aplikuar zvogëlon transparncën dhe rritë rrezikun për keqpërdorim dhe keqmenaxhim”, thuhet tutje në raportin e auditimit të brendshëm në Trepçë.

Bordi i ri i Përkohshëm Mbikëqyrës i Trepçës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se më  datë 14.09.2021 ka deponuar dosjen e plotë pranë Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, me dyshimet serioze mbi keqpërdorimet në këtë proces.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe menaxhmenti i Trepçës, për siç thonë ata “shqetësimet” e krijuara tek punonjësit e kësaj ndërmarrje nga komunikata për media e Bordit të përkohshëm mbikëqyrës në “Trepça” Sh.A.

Ata kanë njoftuar se më 24.08.2021 kanë pranuar kërkesën nga Njësia e Auditimit të Brendshëm në “Trepça Sh.A” për qasje në kontratat: 1. Shitja e mbetjeve industriale të Piritit dhe Pirotinës dhe 2. Shitja e mbetjeve industriale të Jarositit.

Nga menaxhmenti i Trepçës thonë se u janë përgjigjur me kohë njësisë së auditimit, duke dhënë kështu një kronologji të procesit të shitjes, si:

“-Procesi i shitjes së fërgesës së piritit dhe pirotinës ka filluar me kontratë 25.10.2016 dhe është vazhduar me aneks kontratë më 23.01.2020 dhe është valid deri më 31.12.2024; Procesi i shitjes se Jarositit ka filluar me kontratë 23.01.2020 është ndryshuar me aneks kontrate 16.03.2020 dhe përsëri është ndryshuar me aneks kontratë më 07.10.2020 dhe cili është valid deri më 31.12.2024. Andaj siç shihet me lartë menaxhmenti është i gatshëm për interesin e ndërmarrjes të rishqyrtoje kontratat në bashkëpunime me faktorët relevantë pasi kontratat i ka gjetur, në kohen e marrjes së drejtimit të ndërmarrjes dhe është obliguar të respektojë kontratat ekzistuese dhe të cilat kanë afatet kohore për implementim. Meqenëse bordi ka ngritur shqetësime i ftojmë të na rekomandojë me hapat të cilët duhet të ndiqen tutje”, thuhet në reagimin e menaxhmentit të Trepçës.

“Andaj si ekzekutiv kemi zbatuar me përpikëri kontratën dhe aneks kontratat dhe kontratat e tjera të cilët kemi nënshkruar në përudhen 2021 prej të cilave kemi arritur të ndryshojmë afarizmin e Trepçës në vitin 2021 duke tejkaluar pritshmërinë e të hyrave”, vazhdon tutje reagimi i menaxhmentit.

Sipas këtij reagimi, duke u bazuar në të hyrat e krijuara janar – gusht 2021 në Trepçë janë krijuar këto të hyra: “Shitja e Koncentratit të Plumbit dhe Zinkut gjithsej 10,490,008.62 $ me një tejkalim 81.40% për periudhën paraprake të vitit 2020 ku kemi pasur të hyra vetëm 5,782,761.84$, Mbetje industriale 216,305.51 €, Faturime për dhënien e pronës me qira 86,567.33 €.”

Në këtë njoftim të menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje, thuhet gjithashtu se “falë angazhimit të gjithëve kemi arritur me kohë t’i bëjmë pagat e punonjësve, t’i mbulojmë shpenzimet operative dhe në njëjtën kohë kemi filluar me shlyerjen e obligimeve ndaj kontraktuesve të krijuara nder vite”.

“Mosvendosja e periudhës të të gjeturave në komunikatën për media nga ana e Bordit të përkohshëm mbikëqyrës Trepça sh.a. mendojmë se janë tendenciozë dhe do të ndikojnë negativisht tek punonjësit e Trepçës të cilët me një përkushtim te madhe kanë arritur këto suksese. Në të njëjtën kohë rekomandojmë që bordi të gjitha dyshimet lidhur me rastet e dyshuara të na njoftojë neve si menaxhment paraprakisht”, përfundon reagimi. /Buletini Ekonomik/