Shpenzime luksi në MIE: Në prag të zgjedhjeve ministrja Hoxha e ‘hallakatë’ ministrinë

Pak ditë para se ta lë zyrën në Ministrinë e Integrimit Evropian (MIE), ministrja Dhurata Hoxha ka vendosur ta ndërrojë komplet inventarin në zyrën e saj, përcjell Buletini Ekonomik.

Në tenderin që peshon rreth 60 mijë euro për furnizim me inventar në këtë ministri, vetëm ministrja Hoxha për zyrën e saj ka porositur orendi të reja në vlerë prej 6 mijë euro.

Porosia për tavolinën e ministres në ikje do të kushtojë 2 mijë e 325 euro.

Reklama e sponzorizuar

Bazuar në dosjen e tenderit, tavolina e ministres duhet të jetë nga druri i arrës.

“Tavolinë pune për zyrën e ministrit, me dimensione 100X200X74h, konstruksioni dhe pllaka të jetë e punuar nga pllaka MDF e rimësuar me teskture arre, edhe brinjët të jenë të veshura me shirit rimeso teksture arre”, thuhet në dosjen e tenderit që titullohet “Furnizim me inventar për nevoja të MIE-së”.

Veç tavolinës, në zyrën e ministres do të ndërrohen edhe ulëset. Dy, sa janë porositur do të kushtojnë 3 mijë e 630 euro.

Në total tenderi i shpallur këto ditë do të kushtojë rreth 60 mijë euro dhe përfshin blerje të orendive edhe për zyra të zëvëndësministrave e departamenteve tjera në ministri.

Tenderin e ka fituar kompania “Galanteria” sh.p.k e cila në bazë të kontratës duhet që brenda 4 muajsh ta furnizojë ministrinë me orenditë e reja. /Buletini Ekonomik/