Pas rritjes së çmimeve në vend, Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, (AKK) ka njoftuar se tek ta janë adresuar ankesa lidhur me këtë çështje.
Ata nëpërmjet një deklarate për media kanë sqaruar se ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi.
Sipas tyre mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg.
“Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg – praktikës së bashkërenduar). Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë”, shkruan në njoftimin e tyre në facebook.
Ata gjithashtu kanë shtuar se pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër. Përveç kësaj, AKK në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës./Buletini Ekonomik/









