Ministria e Punëve të Jashtme nga viti 2016 deri në vitin 2019 ka shpenzuar gjithsej 41 mijë e 886 euro për vetëm 11 bileta udhëtimi të zyrtarëve të saj nëpër botë, ndonëse ka pasur mundësinë që t’i shpëtojë 27 mijë euro.
Të 11 biletat që i kushtuan mbi 41 mijë euro kësaj ministrie, ishin bileta të klasës biznes (Business class), por nëse e njëjta do t’i shfrytëzonte biletat e klasës ekonomike si ishte kontraktuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), ajo do të mund t’i blente biletat për vetëm 14 mijë e 590 euro.
Kontrata e parë e centralizuar për shërbimet e transportit ajror, kontratë kjo e cila është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), nxjerrë në pah shumë shkelje ligjore të institucioneve shtetërore karshi rregullave të kontraktimit për shërbimet ajrore.
Prej gjithë institucioneve të audituara, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) mban rekordin për shfrytëzimin e biletave “luks” të klasëve më të larta sesa ajo ekonomike, klasë kjo për të cilën edhe ishte nënshkruar kontrata fillimisht.
Nga 212 bileta të klasëve më të larta sesa ajo ekonomike nga 6 institucione të audituara, 147 bileta i përkisnin MPJ-së, e të cilat kësaj të fundit i kushtuan hiç më pak se 273 mijë e 408 euro. Nga këto 147 bileta, 40 prej tyre i takonin klasës ekonomike Premium në vlerë të 30 mijë e 673 eurove, 84 bileta tjera klasës biznes që kushtuan 177 mijë e 335 euro, dhe 23 bileta tjera ishin të klasës së parë që arritën shifrën e 64 mijë e 400 eurove, përcjell Buletini Ekonomik.
Pra, MPJ-ja kishte shpenzuar në total 273,408 euro (apo 36% të vlerës totale të shpenzuara për bileta) për 147 bileta të cilat sipas klasës nuk i takojnë asaj ekonomike.
Kryesisht këto bileta sipas ZKA-së ishin blerë për Ministrin e Punëve të Jashtme, njëkohësisht edhe zëvendëskryeministrin, si dhe për zyrtarë të huaj që ishin ftuar për të marrë pjesë në organizime të ndryshme shtetërore.
Shumicën e udhëtimeve të cilat i kishte ndërmarrë Ministri i Punëve të Jashtme ishin me biznes klasë, i cili për 33 bileta nga mostra e auditimit kishte shpenzuar 102,848 euro për udhëtimet e tij gjatë viteve 2017-2018 që përbën afër 11.5% të vlerës së mostrës. Çmimi mesatar për biletë për udhëtimet e ministrit ishte 2,707 euro. Ndërsa bileta më e shtrenjtë e cila është paguar për të, kishte kushtuar 8 mijë e 222 euro për udhëtimin në relacionin Frankfurt – Hong Kong.
Çmimi më i shtrenjtë i një bilete njëdrejtimëshe për zyrtarë, që kishte paguar kjo ministri ishte 7 mijë e 447 euro për relacionin Uashington-Frankfurt, për të cilën me klasën ekonomike e njëjta do të mund të paguante vetëm 2 mijë e 725 euro. Për relacionin Frankfurt-Uashington, bileta e klasës biznes kishte kushtuar 5 mijë e 993 euro, derisa ajo ekonomike ishte vetëm 1 mijë e 668 euro. Kështu edhe për relacionet e tjera që kishin udhëtuar zyrtarët e kësaj ministrie, shifrat e biletave të klasit biznes janë për 3-4 fish më të larta sesa ato të klasës ekonomike që kjo ministri e kishte mundësinë ta shfrytëzonte.
(shifrat e shënjuara me të kuqe në tabelë janë të klasës premium ekonomike)
Nga krahasimi mes dy klasëve, ZKA konstaton se ndryshimi në çmim sillet prej afër 2,200 euro deri në 4,800 euro për një biletë.
Ndërkohë, edhe te kontrata e dytë për shërbimet e transportit ajror për vitet 2018 deri më 2020, në krye të listës së përdoruesve ishte prapë MPJ-ja, e cila kishte shpenzuar gjithsej 726 mijë e 267 euro që përbën 19.5% të shpenzimit total. Mesatarisht çmimi për një biletë nga kjo ministri ishte ishte 859 euro.
Nga kjo kontratë gjithsej 44 bileta (8% e numrit të përgjithshëm të biletave të audituara) kishin rezultuar t’i takojnë klasave më të larta se klasa ekonomike. Kostoja e përgjithshme e tyre ishte 102 mijë e 260 euro që paraqet afër 24% të shpenzimeve totale të audituara në MPJ në bileta për 14 muajt e parë të kontratës në fjalë (dhjetor 2018-janar 2020).
Nga krahasimi që ka gjetur ZKA-ja, çmimi i këtyre biletave është mesatarisht 1.9 herë më i lartë se çmimi i biletës së klasës ekonomike, dhe sillej prej afër 10% deri në 420% më shtrenjtë për një biletë. Shpenzimi për këto nëntë bileta të kontratës së dytë ishte 37,574 euro derisa të njëjtat do të mund të bliheshin për 19 mijë e 761 euro, me çka MPJ-ja vetëm për këto 9 bileta do të mund të kursente 17 mijë e 813 euro që paraqet 47% e shpenzimit.
Sipas MPJ-së, blerjet e biletave të klasave më të larta se klasa ekonomike mund të arsyetohen me vendimin e Qeverisë, sipas të cilit ministrit të punëve të jashtme dhe delegacionit të tij i lejohet tejkalimi i shpenzimeve të reprezentacionit dhe udhëtimeve jashtë vendit gjatë lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
E sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 2004/07 për udhëtime jashtë vendit, klasa e lejuar për udhëtimet zyrtare me aeroplan është vetëm klasa ekonomike. E nga auditimi i ZKA-së, gjashtë nga nëntë Organizatat Buxhetore të e audituara kishin blerë bileta të klasave më të larta se klasa ekonomike.
Ndryshe, AQP-ja gjatë zhvillimit të aktivitetit të prokurimit për kontratën e dytë për shërbime të transportit ajror nuk kishte ndryshuar çmimin mesatar të parashikuar për biletë. Kontrata e dytë ishte zbatuar me ritëm të ngjashëm me të parën – brenda 14 muajve shfrytëzuesit e kontratës kishin shpenzuar mbi 3.7 nga gjithsej 5 milion euro të kontraktuara për bileta (74%), duke rrezikuar që kontrata të përmbyllet shumë më herët se afati i kontraktuar. Megjithatë pandemia Covid-19 u bë shkak për të ndryshuar rrjedhën normale të aktiviteteve qeveritare (u mbyllën kufijtë, u reduktua qarkullimi ajror) që e uli trendin e shpenzimeve të OB-ve në transportin ajror. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/