Inflacioni në Eurozonë arriti në tetor një nivel të lartë rekord në 13 vjet, ndërkohë që blloku po lufton rritjen e kostove të energjisë.
Të premten, inflacioni total arriti në 4.1% për këtë muaj, sipas të dhënave paraprake nga zyra e statistikave europiane, Eurostat.
Ky ishte niveli më i lartë që nga korriku 2008, ndërsa shifra e shtatorit kishte arritur në 3.4%.
Rritja e inflacionit është nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë, duke thelluar shqetësimin e politikëbërësve. Komponenti i energjisë në të dhënat e inflacionit u rrit me 23% në bazë vjetore, quke qenë deri tani kontribuesi më i madh.
Të dhënat e tremujorit të tretë, të premten, treguan gjithashtu se PBB-ja e Eurozonës u rrit me 2.2% krahasuar me periudhën e mëparshme, ritmi më i shpejtë në një vit.
“Rritja e lartë e PBB-së së Eurozonës në tremujorin e tretë nënkupton se faza e rimëkëmbjes është tashmë pothuajse e plotë në pjesën më të madhe të bllokut,” tha Andrew Kenningham, kryeekonomist në Capital Economics.
“Rritja do të jetë shumë më e ngadaltë në tremujorin e fundit pasi ndërprerja e zinxhirit të furnizimit, ngadalësimi i kërkesës globale dhe mungesat e fuqisë punëtore, po pengojnë prodhimin.”
Kenningham shtoi se inflacioni total dhe ai bazë në Eurozonë, ka të ngjarë të rriten më tej gjatë dy muajve të ardhshëm.
“Ndryshimet e kaluara në çmimet e gazit, tregojnë se do të ketë një përshpejtim të mëtejshëm të inflacionit të energjisë dhe pritshmëritë e firmave për çmimet e shitjes tregojnë se norma bazë e inflacionit do të vazhdojë gjithashtu të rritet,” tha ai.
Inflacioni është një tregues kyç i studiuar nga Banka Qendrore Europiane. Ajo njoftoi në shtator se do të blinte më pak obligacione nga rritja e çmimeve të konsumit.
Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde tha të enjten se rritja e çmimeve të energjisë, rimëkëmbja e kërkesës dhe pengesat e ofertës po e nxisin inflacionin.
“Megjithëse do të duhet më tepër kohë nga sa parashikohej, ne presim që këta faktorë të lehtësohen gjatë vitit të ardhshëm. Parashikojmë që në një periudhë afatmesme, inflacioni do të mbetet nën objektivin tonë prej 2%,” tha ajo.
BQE parashikon një inflacion prej 2.2% në vitin 2021, 1.7% në vitin 2022 dhe 1.5% në 2023 – pra nën objektivin e saj prej 2%. Banka do t’i përditësojë këto parashikime në fillim të dhjetorit./CNBC