Banka Qendrore Evropiane (BQE) vendosi sot të mbajë në të njëjtin nivel normat e interesit dhe programin e stimulimit të pandemisë, pavarësisht presioneve aktuale të inflacionit, raporton agjencia AP.
Vendimi nëse dhe si do t’i jepet fund programit të blerjes së bonove me vlerë 1.85 trilion euro (2.14 trilionë dollarë), i cili prek 19 vende të Bashkimit Evropian që përdorin monedhën e përbashkët, euron, do të jetë në agjendën e BQE-së në seancën e dhjetorit.
Kjo paketë stimuluese uli koston e huamarrjes afatgjatë të korporatave për t’i ndihmuar ato të kapërcejnë periudhën e bllokimit dhe mundësoi huamarrje më të lirë nga qeveritë, shpenzimet e të cilave u rritën ndjeshëm për shkak të masave financuese për të mbështetur ekonomitë kombëtare dhe qytetarët gjatë pandemisë.
Programi stimulues pritet të zgjasë të paktën deri në mars 2022, ose derisa BQE të vlerësojë se kriza e koronavirusit ka mbaruar, por rritja e fundit e inflacionit ka ndezur polemika nëse duhet të largohen nga blerjet e bonove më shpejt se sa vonë.
BQE njoftoi në shtator se do të shkurtonte blerjet e letrave me vlerë të borxhit për shkak të inflacionit në rritje në eurozonë, i cili arriti në 3.4 përqind në shtator, niveli më i lartë në 13 vjet dhe dukshëm më i lartë se norma e synuar e BQE-së prej 2 përqind.
Megjithatë, zyrtarët e bankës pohojnë se rritja e çmimeve të konsumit është e përkohshme.
Presidentja e BQE-së Christine Lagarde është shprehur më parë kundër “reagimit të tepërt” ndaj rritjes së inflacionit duke tërhequr para kohe stimujt, pasi ekonomia vazhdon të përballet me probleme për shkak të pengesave në furnizimin me pjesë dhe lëndë të para.
Normat e interesit të BQE-së mbeten në të njëjtin nivel deri në njoftimin e mëtejshëm. Interesi i depozitave është minus 0.5 përqind, interesi për operacionet kryesore të rifinancimit është zero për qind dhe për kreditë njëditore 0.25 përqind.
BQE tani parashikon inflacion prej 2.2 përqind në vitin 2021, 1.7 përqind në vitin 2022 dhe 1.5 përqind në vitin 2023, që është nën normën e synuar prej 2 përqind. Banka do të përditësojë këto parashikime në fillim të dhjetorit.