Kurti në konferencë: Ministrinë e Bujqësisë e kemi gjetur me 40 milionë obligime financiare ndaj fermerëve kosovar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka mbajtur një konferencë për media së bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, në të cilën ka thënë se me fillimin e mandatit të tyre si Qeveri, kanë gjetur diku 40 milionë euro obligime financiare ndaj fermerëve, ndërkohë që vitin 2022  synojnë ta fillojnë me zero obligime.

“Sektori i bujqësisë është i një rëndësie të veçantë për Qeverinë sepse përveç që prodhon e krijon ushqim, krijon edhe vende pune.Ju kemi përgjigjur kërkesës së prodhuesve që shteti t’i ndihmojë duke subvencionuar gjysmën e kamatës.Pas 8 viteve pa strategji, Qeveria ka hartuar strategjinë për zhvillimin e bujqësisë 2021-2027 dhe për pylltarinë 2021-2031. Ministrinë e kemi gjetur me 40 milionë obligime ndaj fermerëve në kategorinë e subvencioneve. Me buxhetin e vitit 2022 do ta fillojmë me zero obligime financiare ndaj fermerëve, edhe për 11 milionë buxhet shtesë për ta”, ka thënë Kurti në konferencë.

Në bazë të gjithë kësaj, ai pohoi se së bashku me ministrin e Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Muratin kanë diskutuar lidhur me miratimin e buxhetit për vitin 2022, duke thënë se pritet që buxheti të jetë 9 për qind më i lartë se sa buxheti i rishikuar në qershor të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

“Sot kam pasur takim me ministrin e Financave para se të fillojë orari i punës dhe kemi diskutuar që ta bëjmë sot pasdite një mbledhje të Qeverisë në të cilin do të miratohet buxheti dhe natyrisht atë mbledhje do të mund ta ndiqni edhe ju, por krahasuar me rishikimin e buxhetit të bërë në mes të vitit, buxheti për 2022 do të jetë 9 për qind më i lartë”, shtoi tutje Kurti./Buletini Ekonomik/