Në periudhën janar-shtator janë shpenzuar 1 miliardë e 553 milionë euro të buxhetit të shtetit

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është shqyrtuar dhe miratuar Raporti financiar nëntëmujor për vitin 2021 për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Nga ky raport është bërë e ditur se për nëntë muaj janë shpenzuar gjithsej 1 miliardë e 553 milionë euro të buxhetit të shtetit.

Kjo shifër e shpenzimeve paraqet 56 për qind të shpenzimeve të planifikuara për këtë periudhë dhe është për 3 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, të hyrat e buxhetit prej muajit janar deri në shtator të këtij viti arritën në shifrën e 1 miliardë e 855 milionë eurove, që përbëjnë 67 për qind të të hyrave të planifikuara.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të hyrat e buxhetit janë për 24 për qind më të larta sivjet.

Ndryshe, buxheti i rishikuar për vitin 2021 është rreth 2.5 miliardë euro, ndërsa të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro. Ky është njëherit edhe buxheti më i madh që ka pasur Kosova deri më tani, përkundër problemeve gjatë këtyre dy viteve si pasojë e pandemisë Covid-19.

Me Rishikimin e Buxhetit për vitin 2021, shkalla nominale e rritjes ekonomike parashihej të ishte 7.9% kurse të ardhurat e buxhetit ishin rishikuar me ngritje prej rreth 150 milionë euro, patën bërë të ditur qeveritarët kur kanë rishikuar buxhetin në korrik.

Poashtu, në këtë Rishikim të Buxhetit ishte përfshirë edhe Pakoja e Ringjalljes Ekonomike në shumën prej 420 milionë euro. Kjo pako përmbante pesë grupe të masave të përqëndruara në rritjen e punësimit dhe riorientimin e kapitalit drejt një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm./Buletini Ekonomik/