Tash e disa ditë në dyqanet afër Akademisë së Shkencave dhe Arteve, saktësisht në rrugën Adrian Krasniqi në Prishtinë, janë parë duke u rrënuar çatitë dhe disa mure anësore.
Këto dyqane janë pronë e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe kanë qenë të dedikuara për veprimtari të shumëllojshme zejtarësh, kryesisht rrobaqepës, këpuctarë, dyqane servisesh të ndryshme, pastrim kimik, përfshirë këtu edhe restaurante edhe kafene të ndryshme.
Ndërmarrja Publike Banesore, në disa përgjigje për Buletinin Ekonomik ka thënë se rrënimi i këtyre lokaleve, është bërë me të vetmin qëllim, pra mundësimin e kushteve më të mira për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme në to.
Sipas tyre, ky projekt tashmë vetëm se ka filluar me implementimin e tij, dhe se përfundimi i punëve të renovimit sipas kontratës së lidhur me operatorin ekonomik do të përfundojë në afat prej jo më shumë se 90 ditëve.
“Ndërmarrja Publike Banesore është investitor i këtij projekti”, thonë nga NPB-ja.
Ata gjithashtu kanë thënë se pas renovimit të këtyre objekteve, ato do të kthehen prapë tek të njëjtit qiramarrës, të cilët gjatë procesit të renovimit nuk do të faturohen për qira.
Ndërkohë, siç mësuam nga zejtarët ata janë gjindur si kanë mundur, duke marrë lokale me qira për këta muaj për sa do të zgjasë renovimi i objekteve të tyre. /Buletini Ekonomik/