Inventarët e Gazprom brenda vendit janë thuajse plot, duke i dhënë gjigantit rus të gazit mundësi që të rrisë eksportet këtë dimër, sipas ekspertëve të industrisë, ç’ka përbën lajm pozitiv për Europën, që është goditur nga rritja e çmimeve. Rusia, që po prodhon dhe eksporton gaz në Bashkimin Europian në nivele rekord të larta, theksoi javën e kaluar se i duhet të përfundojë mbushja e rezervave të veta, përpara se të rrisë furnizimet në tregun spot të Europës.
Ministri i Energjisë, Nikolai Shulginov, tha se rezervat e brendshm të gazit ndodhen në 97% kapacitet, pa ofruar një shifër specifike. Analistët rus vlerësojnë se rezervat qëndrojnë në rreth 69 miliardë metra kub (BCM), pranë nivelit të plotë të shpalosur nga kompania prej 72.6 miliardë metra kub. Tregjet e gazit në Azi dhe Europë janë trazuar këtë vit, me çmimin referencë të gazit në Hollandë që është rritur me 365% që prej fillimit të vitit, nxitur nga inventarët e ulët dhe rritja e kërkesës, si pasojë e heqjes së masave të pandemisë.
Kjo e ka vendosur nën presion Gazprom, furnitorin më të madh të Europës, me eksportet që janë rritur me 13% dhe prodhimi me 17% që prej nisjes së vitit. Ish- ministria sovietike e gazit, që u bë kompani shtetërore në vitet 90, drejton një rrjet prej 23 qendra të inventrëve në vendndodhje të ndryshme, nga fushat e braktisura të gazit e deri tek shpellat e kripave. Analistët thonë se nëse rezervat janë plotësisht të mbushura deri më 1 Nëntor, atëherë Rusia do të nisë sezonin e tërheqjes me një nivel të shëndetshëm të inventarëve dhe do ketë fleksibiltet për të shtuar shitjet e gazit në Europë. /Scan tv/