Termokos: Nuk ka ngritje të tarifave të ngrohjes

Ndërmarrja Termokos

Ndërmarrja Termokos ka reaguar ndaj shkrimit të Buletinit Ekonomik, të botuar me datë 10/07/2021 me titull “Terkomos paralajmëron shtrenjtimin e çmimit të ngrohjes”.

Më poshtë reagimi i plotë nga Termokos dhe një sqarim i redaksisë:

Për hir të informimit të drejtë dhe korrekt, NP “Termokos” informon opnionin e gjerë, dhe në veçanti konsumatorët tanë, se në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk është paralajmëruar shtrenjtim i çmimit të ngrohjes, ashtu siç një portal vendor ka publikuar sot një titull tendencioz.

Reklama e sponzorizuar

NP “Termokos” SH.A., ka kërkuar nga portali, që ka publikuar këtë titull tendencioz, që ta tërheqë atë dhe të mos dezinformojë opinionin e gjerë me përmbajtje të tilla të pavërteta.

Në të kundërtën, NP “Termokos” do të ndërmarr të gjitha masat e duhura ligjore sa i përket kësaj dezinformate.

Rikujtojmë, se i vetmi autoritet, që rregullon aktivitetin në sektorin e energjisë në Kosovë, dhe si rrjedhojë është përgjegjëse edhe për përcaktimin e tarifave të energjisë termike është Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndërsa NP “Termokos” vetëm i zbaton ato tarifa.

Ne shprehim keqardhjen tonë të thellë, për çdo shqetësim që mund t’u jetë shkaktuar konsumatorëve tanë me këto lajme të pavërteta.

Sqarim i redaksisë:

Ne nuk kemi thënë asgjë më shumë sesa na është thënë në përgjigje me shkrim nga zëdhënësja për media në Termokos, Afërdita Uka-Zejnullahu. Për hir të korrektësisë, kjo është përgjigja me shkrim që kemi pranuar në email: “Termokos’’ për prodhimin e energjisë termike është i varur kryekëput nga avulli, që marrim nga KEK-u.Sado që, tregu i energjisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe çmimin, është i rregulluar nga ZRRE, një krizë eventuale energjetike, në rast se ndikon tek KEK-u, rrjedhimisht do të mund të kishte refleksion edhe tek NP ‘’Termokos’’. Pra ashtu siç thuhet në përgjigjet e Termokos, edhe ne vetëm kemi thënë se “paralajmërohet” shtrenjtim i tarifave të ngrohjes.