Banka Qendrore e Austrisë: Shqiptarët kanë njohuri të pakta për pasojat afatgjata të borxhit të lartë

Teksa borxhi publik në Shqipëri ka shkuar në nivelet më të larta rajonale dhe në vendet e Europës Lindore dhe Qendrore (CESEE) duke iu afruar nivelit 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), shqiptarët shfaqin nivele të ulëta njohurish për pasojat afatgjata të tij dhe sidomos, në impaktin negativ për brezat që vijnë.

Në buletinin e tretë ekonomik për Integrimin Ekonomik të Europës Lindore në BE, Banka Qendrore e Austrisë, në një studim të posaçëm, i bazuar në një anketë, gjeti se shqiptarët kanë njohuri të dobëta për pasojat negative të borxhit te gjeneratat e ardhshme, te niveli i taksave, tek investimet, masa e pensioneve etj.

Banka Qendrore e Austrisë ka vërejtur se më pak se 40% e shqiptarëve e kanë të qartë se niveli i lartë i borxhit publik ndikon në rritjen e taksave në të ardhmen, ndërkohë 60% e qytetarëve në rajonin CESEE e dinë lidhjen ndërmjet borxhit dhe taksave të larta.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu shqiptarët dhe çekët kanë njohuri të dobëta për efektet që ka borxhi i lartë publik në nivelin e ardhshëm të pensioneve dhe përfitimeve të tjera publike. Vetëm 38% e shqiptarëve janë në dijeni se borxhi i lartë publik ushtron presion mbi shpërndarjen e fondeve publike për mbrojtjen sociale, ndërsa në rajonin e CESEE mesatarisht 60% e qytetarëve i dinë ndikimin negativ që borxhi ka në këto pagesa.

P.sh., vetëm 48% e shqiptarëve e dinin se borxhi i lartë publik komprometon të ardhmen e gjeneratave. Kjo përqindje ishte shumë e ulët në raport me 73% të serbëve, 80% të maqedonasve, 80% të rumunëve, 80% të bullgarëve që ishin të qartë në qëndrimin e tyre se borxhi i lartë i qeverisë ndikon negativisht jetën e gjeneratave në të ardhmen.

Ashtu si edhe qytetarët e rajonit, edhe shqiptarët shfaqen mosbesues se borxhi i lartë ndikon në rritjen e investimeve. Madje shqiptarët paraqiten edhe mosbesues, pasi më pak se 30% e tyre besojnë se rritja e borxhit përdoret për investime.

Interesante mbeten edhe njohuritë për madhësinë e borxhit publik si përqindje e PBB-së, të cilat janë shumë të kufizuara në shumicën e vendeve, por sidomos në Shqipëri. Mesatarisht, 36% e të anketuarve japin një përgjigje “nuk e di”, duke filluar nga 16% në Shqipëri deri në rreth 60% në Bullgari dhe Rumani. Përqindja e të anketuarve që japin përgjigjet e duhura për raportin e borxhit varion nga 17% në Hungari dhe Shqipëri në rreth 40% në Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut.

Deri në mesin e viteve 2000, madhësia e borxhit publik ishte shqetësim vetëm për disa vende të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ). Megjithatë, kriza financiare globale 2008-2009, pasojat e krizës së borxhit sovran të vitit 2012 në zonën e euros dhe, së fundmi, pandemia COVID-19 shkaktuan një rritje të fortë të niveleve të borxhit publik në të gjithë rajonin.

Mesatarisht në të gjithë rajonin, raportet e borxhit u zgjeruan me 10 pikë përqindjeje në vitin 2020, me rritjen më të madhe të vërejtur në Kroaci, Hungari, Rumani, Poloni dhe Maqedoninë e Veriut. Kroacia, Hungaria dhe Shqipëria përballen tani me raporte borxhi prej rreth 80%, të ndjekura nga Serbia dhe Polonia me rreth 60%. Në anën tjetër të spektrit, Bullgaria, Çekia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë ende raporte borxhi nën 40%. /Monitor.al/