Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë sot kanë nënshkruar gjashtëmbëdhjetë marrëveshje bashkëpunimi.
Ndër marrëveshjet e nënshkruara janë edhe dy në fushën e ekonomisë.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për marrëveshjet e nënshkruar ndërmjet ministrit Hekuran Murati dhe homologeve nga Shqipëria, ministren Ibrahimaj dhe Manastirliu.
“Marrëveshja e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Ibrahimaj në fushën e Sigurimeve Shoqërore si objektiv kryesor ka sigurimin e mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës, si dhe të realizojnë të drejtën në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale. Me fjalë të tjera, përmes kësaj marrëveshje qytetarët e të dy vendeve do të kenë mundësi që të pranojnë pensionet përkatëse që u takojnë sipas legjislacionit të vendeve të tyre, në vendin ku ata janë duke jetuar pas pensionimit, në Kosovë apo në Shqipëri”, thuhet në njoftim.
Marrëveshja tjetër ndërmjet Muratit dhe Manastirliu është nënshkruar në Fushën e Mbrojtjes Sociale.
“Në anën tjetër, marrëveshja e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Manastirliu përkon me Fushën e Mbrojtjes Sociale dhe ka për qëllim bashkëpunimin në mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre. Përmes kësaj marrëveshje synohet përcaktimi i rregullave të bashkëpunimit në mes të të dy palëve për të siguruar mbrojtën e fëmijëve pa kujdes prindëror, riatdhesimin e fëmijëve të pashoqëruar, si dhe lehtësira për realizimin e kontaktit të fëmijëve me prindër të shkurorëzuar”, thuhet në njoftim.
Kosova dhe Shqipëria sot kanë nënshkruar gjashtëmbëdhjetë marrëveshje bashkëpunimi. /Express/