Nëse vendet dhe firmat perëndimore duan të udhëheqin në pagesat globale, ato duhet të modernizojnë mënyrën e kryerjes së tyre.
Në vitet e fundit, infrastruktura perëndimore që nxiti globalizmin, ka mbetur mbrapa, ndërkohë që Kina po ndërton alternativa mjaft të besueshme. Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) është në një gjendje krize, FMN dhe Banka Botërore po vuajnë nga rënia e popullaritetit dhe nga skandalet e njëpasnjëshme, dhe duket se askush nuk mund të pajtohet mbi rregullat globale të teknologjisë, shkruan “The Economist”.
Ka një përjashtim në këtë gjendje të zymtë: sistemi global i pagesave që ndihmon dhe mbështet mbizotërimin e monedhave perëndimore, veçanërisht të dollarit. Gjatë vitit të kaluar, një nga rrjetet kryesore, me emrin SWIFT, ka kryer 140 trilionë dollarë transaksione, një nivel rekord dhe ekuivalent me rreth 150% të PBB-së globale. Kjo është një shumë vërtet mbresëlënëse, por duhet bërë më shumë për të modernizuar arkitekturën e pagesave nëse Perëndimi dëshiron që të vazhdojë të udhëheqë në këtë fushë.
Mënyra si qarkullojnë paratë nëpër botë më së shumti është ende nën kontrollin e demokracive liberale. Pagesat zakonisht kryhen në dollarë dhe në një masë më të vogël në euro, paund dhe jen. Kjo në fakt është diçka e mirë për botën, sepse siguron një sistem të besueshëm të qeverisur nga ligji. Sigurisht që është diçka e mirë edhe për vendet perëndimore, sepse forcon normat e tyre ligjore, kompanitë dhe ndikimin e tyre në botë.
Këtu luajnë rol kyç një sërë institucionesh, duke filluar nga bankat, deri te zyrat e klerimit në Nju Jork. Pavarësisht rëndësisë së tij, SWIFT, në pronësi të bankave globale dhe i themeluar në vitet 1970, është një pjesë e errët e gjithë këtij procesi. Ky sistem lidh 11,000 banka në mbi 200 shtete, duke ofruar një sistem mesazhesh për transaksionet. Edhe pse e ka selinë në Europë, ai është një pikë kyçe e ndikimit amerikan.
Kërcënimi ndaj SWIFT vjen nga disa anë. Në vitin 2016, hakerat koreanoveriorë përdorën kredenciale të vjedhura për të grabitur 81 milionë dollarë nga banka qendrore e Bangladeshit. Amerika është tejet e vetëkënaqur me sistemin e dollarit. Ajo ka përdorur SWIFT për të imponuar sanksione të politizuara, duke u dhënë shkas vendeve të tjera për të krijuar alternativa. Për më tepër, Amerika ka qenë e ngadaltë në përmirësimin e sistemeve të pagesave në vend ose në zhvillimin e një monedhe dixhitale të bankës qendrore, dhe Kongresi ka qenë kritik për rolin e Rezervës Federale si stabilizues global.
Ndërkohë, kompanitë e mëdha të teknologjisë, rrjetet e kartave të kreditit dhe bankat, janë të prirura të krijojnë alternativa. Më 19 tetor, Facebook krijoi portofolin e tij dixhital. Risia sigurisht që është e mirëpritur, por nëse mbizotërojnë vetëm disa kompani, tarifat do të rriten dhe vendet më të varfra do të vuajnë. Dhe Kina po eksperimenton me sistemin e saj të pagesave, të quajtur CIPS, dhe një monedhë dixhitale të bankës qendrore. Ajo sapo i ka kërkuar McDonald’s që të miratojë e-yuan në degët e saj kineze.
Në vend që të hamendësojnë se do të mbizotërojnë gjithnjë sistemin e pagesave, demokracitë duhet të sigurojnë që sistemet e tyre të jenë më të shpejta, më të lira dhe më të sigurta, në mënyrë që ato të mbeten zgjedhja e parë e firmave. SWIFT ka përmirësuar rrjetin dhe thotë se 92% e transfertave të mëdha ndodhin brenda një dite. Një qëllim tjetër duhet të jetë lidhja me më shumë rrjete pagesash vendase në kohë reale. Kjo mund të kushtojë para, por shpenzimet kapitale të SWIFT në vitin 2020, ishin vetëm 56 milionë dollarë, më pak se një e pesta e buxhetit të gjigantëve të pagesave si Ant Group dhe Visa.
Detyra më e vështirë do të jetë reformimi i qeverisjes së SWIFT. Bordi i tij është i mbushur me banka europiane, gjë që ishte e justifikueshme në vitet 1970, kur ato mbizotëronin financat ndërkufitare, por tani duket diçka anakronike. 25 vendet e bordit përfshijnë vetëm dy firma amerikane dhe një kineze. India dhe Brazili nuk kanë asnjë. Amerika dhe Azia duhet të përfaqësohen më mirë, edhe pse vendet liberale demokratike mbeten nën kontroll. Kur një shtëpi ka nevojë për rinovim, duhet filluar së pari nga sistemi hidraulik. /Monitor.al/