Nafta ka dalë nga niveli më i ulët në 7 javë në nisje të javës, por ka qëndruar nën presion pasi Japonia deklaroi se po vlerëson nxjerrjen në treg të rezervave të naftës dhe ndërkohë që situata me pandeminë në Europë po përkeqësohet, duke ngritur shqetësime si ndaj mbiofertës edhe tek kërkesa e dobët. Nafta Brent ra me 0.3% në 78.63 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane (WTI) humbi 0.2% në 75.82 dollarë për fuçi. Të dy çmimet referencë shënuan nivelet më të ulëta që prej 1 Tetorit më herët gjatë sesionit.
Humbjet arritën deri në 3% në tregtinë e së Premtes, duke sjellë rënie për të katërtën javë radhazi. Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, bëri të ditur në fundjavë se është gati për të luftuar rritjen e çmimeve, pas kërkesave nga Shtetet e Bashkuara për të nxjerrë naftë nga rezervat emergjente. Tokjo po përpiqet të anashkalojë ligjin që lejon nxjerrjen e rezervave të naftës në treg vetëm në rast të mungesës së madhe të ofertës apo katastrofave natyrore. Shtëpia e Bardhë i bëri përsëri presion prodhuesve të OPEC javën e kaluar që të mbajnë një ofertë botërore të balancuar, pak ditë pasi SHBA diskutuan me ekonomitë më të mëdha në botë për të nxjerrë naftë nga rezervat strategjike që të zbuten çmimet.
Nxjerrja e koordinuar në treg mund të arrijë në 100-12 milionë fuçi ose më shumë, sipas analistëve, ku përfshihen 45-60 milionë fuçi nga SHBA, rreth 30 milionë fuçi nga Kina, 5 milionë nga India dhe 10 milionë nga Japonia dhe Korea e Jugut. Diçka tjetër që ndikoi tek çmimet ishte situata e rënduar e pandemisë në Europë, me disa vende që po rivendosin masa të karantinës. Gjermania paralajmëroi se mund të futet përsëri në karantinë të plotë prej rritjes së infeksioneve, ndërkohë që Austria nisi ditën e Hënë karantinën e katërt kombëtare./SCAN TV/