Pjesëmarrja në fuqinë punëtore në Kosovë bie nën nivelin e 2016-s

Pjesëmarrja në fuqinë punëtore gjatë vitit 2020 ka rënë nën nivelet e vitit 2016. Më 2020, në fuqinë punëtore merrnin pjesë vetëm 38.3% të personave aktivë në moshë pune në vendin tonë.

Norma e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore gjatë të njëjtit vit, kishte pësuar një rënie për 2.2%, krahasuar me vitin 2019, kur përqindja ishte dukshëm më e lartë prej 40.5%.

Ndërkohë, në vitin 2016, kjo pjesëmarrje në fuqinë punëtore në Kosovë ishte 38.7%, që paraqet një shifër për dy pikë më të lartë sesa ky i vitit të kaluar (2020).

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) “Industria Përpunuese për vitin 2020”, ku në njërin prej kapitujve shpalosen edhe disa të dhëna rreth fuqisë punëtore, pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore, në vitin 2020 ishte 20.8%, ndërsa në vitin 2019 ishte 21.1%, duke u shënuar kështu një rënie e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore të grave për 0.30%.

Ndërsa, pjesëmarrja e meshkujve në fuqinë punëtore, gjatë vitit 2020 ishte 56%, krahasuar me vitin 2019 që ishte 59.7 %, një rënie kjo për 3.7%.

Vitin e kaluar, shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë ishte 25.9%, derisa e njëjta më 2019-n ishte 25.7 %, kurse më 2018 ishte 29.6%. Por, shkalla më e lartë e papunësisë ishte shënuar në vitin 2017 që ishte 30.5%, ndërsa në vitin 2016 ishte 27.5%.

Pra, norma e përgjithshme e papunësisë, gjatë vitit 2020, pësoi rënie prej vetëm 0.20%, krahasuar me vitin 2019, përcjell Buletini Ekonomik.

“Gjatë viteve 2016- 2020, papunësia më e lartë u shënua në vitin 2017, me 30.5%, ndërsa më e ulëta ishte në vitin 2019, me 25.7%”, thuhet në raport.

Norma e papunësisë te gratë në vitin 2020 ishte 32.3%, përderisa në vitin 2019 ishte 34.4%, ku vërehet rënie për 2.1%, ndërsa te meshkujt në normën e papunësisë është shënuar rritje për 0.9%, apo nga 22.6% në 23.5%, në vitin 2020.

Në anën tjetër, sipas anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e parë të vitit 2021 (janar, shkurt, mars), thuhet se shkalla e papunësisë është 25.8 për qind, ose 124 mijë e 657 qytetarë të moshës nga 15-64 vjeç. Prej tyre, 83 mijë e 141 janë meshkuj, dhe 41 mijë e 516 janë femra.

Ndërkaq, pjesëmarrja në fuqinë punëtore në fillim të këtij viti ka qenë 39.5%, më e lartë sesa në vitin 2020. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/